Kryediplomati kinez: Kina dhe bota islame kanë dëshirë të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të hënën se Kina dhe bota islame kanë një dëshirë të fortë për të krijuar partneritet për bashkim, drejtësi dhe zhvillim.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm pakistanez Shah Mahmood Qureshi në Islamabad, Wang tha se ishte hera e parë që ai merrte pjesë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm kinez, në sesionin e 48-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili u mbajt në kryeqytetin pakistanez.

Kryediplomati kinez tha se prania e tij në këtë veprimtari pasqyron dëshirën e fortë të Kinës dhe botës myslimane për të thelluar më tej bashkëpunimin. Ai vuri në dukje se tema e mbledhjes së ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik – “Krijimi i partneriteteve për bashkim, drejtësi dhe zhvillim” – ka një rëndësi të veçantë në rrethanat e tanishme ndërkombëtare.

Kina dhe bota islame kanë të dyja një histori të thellë, kërkojnë vlera të ngjashme dhe ndajnë misione historike, theksoi Wang, duke shtuar se pala kineze është e gatshme të ndërtojë partneritete me vendet islamike për mbështetje dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Përballë ndryshimeve njëqindvjeçare dhe pandemisë së shekullit, numri një i diplomacisë kineze theksoi se është e nevojshme që Kina dhe bota islame të formojnë lidhje më të ngushta, të flasin me një zë dhe të mbrojnë interesat e tyre të përbashkët.

Duke vënë në dukje se kjo ishte vizita e tij e parë në Pakistan që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19, Wang u shpreh se Kina dhe Pakistani janë të përkushtuara për të rritur bashkërendimin strategjik dhe bashkëpunimin pragmatik.

Ministri i Jashtëm kinez propozoi që, për të çuar më tej lidhjet Kinë-Pakistan, të dy vendet duhet të bëjnë përpjekje për t’i dhënë mbështetje të fortë njëri-tjetrit dhe për të përshpejtuar zhvillimin dhe rigjallërimin e përbashkët.

Gjatë bisedimeve, dy ministrat e jashtëm shkëmbyen mendime edhe për konfliktin Rusi-Ukrainë. Ata shprehën shqetësimin e tyre të përbashkët mbi përhapjen e efekteve të sanksioneve të njëanshme dhe thanë se duhet të mbështeten e drejta ndërkombëtare dhe qëllimet e Kartës së OKB-së, teksa kërkuan përfundimin e konfliktit me mjete diplomatike.