Kroacia i plotësoi kushtet për anëtarësim në valutën e përbashkët – euro

Kroacia i plotëson kriteret e konvergjencës dhe Komisioni Evropian ka konstatuar se është e gatshme të bëhet anëtarja e 20-të e eurozonës nga 1 janari 2023.

“Urime Kroacisë! Sot, Kroacia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt adoptimit të euros, valutës sonë të përbashkët. Më pak se një dekadë pas bashkimit me BE, Kroacia tani është gati të bashkohet me euron më 1 janar,” tha kryetarja e Komisionit Ursula fon der Lajen.

Ajo shtoi se anëtarësimi në eurozonë do ta bëjë ekonominë kroate më të fortë, do të sjellë përfitime për qytetarët, kompanitë dhe shoqërinë në përgjithësi, ndërsa euro do të bëhet më e fortë me hyrjen e Kroacisë në eurozonë.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) dhe Komisioni Evropian kanë publikuar një raport konvergjence, duke vlerësuar progresin e vendeve anëtare në përmbushjen e kritereve për të adoptuar euron. Raporti mbulon shtatë vende – Bullgarinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë dhe Suedinë. Danimarka ka një përjashtim të përhershëm nga detyrimi për të pranuar euron dhe nuk mbulohet nga raporti.

BQE dhe KE përgatisin raporte plotësuese dyvjeçare që formojnë bazën e vendimit të Këshillit nëse një vend kualifikohet për euron. Njëkohësisht me publikimin e Raportit të Konvergjencës, Komisioni publikoi edhe një propozim për Vendim të Këshillit dhe një propozim për një Rregullore për anëtarësimin e Kroacisë në eurozonë.

“Në dritën e vlerësimit të Komisionit dhe duke marrë parasysh faktorët shtesë që lidhen me integrimin ekonomik dhe konvergjencën, duke përfshirë zhvillimin e bilancit të pagesave dhe integrimin e mallrave, punës dhe tregjeve financiare, Komisioni e konsideron Kroacinë të pranueshme për euron,” deklaroi organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian.