Kriza ekonomike shkakton rritje të vazhdueshme të çmimeve

Shkup, 27 prill – Kriza pandemisë në vendin tonë sikurse në çdo vend të botës shkaktoi probleme të shumta shëndetësore dhe ekonomike. Mirëpo, kjo krizë nuk përfundoi me kaq, sulmi rus në Ukrainë shkaktoi sulm e krizë ekonomike kudo në botë. Megjithatë kjo krizë ekonomike dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut., shkruan Zhurnal.

Shpenzimet po rriten, mirëpo pagat kanë ngecur në vend. Rritja e pagës minimale ishte një rritje që shkaktoi më shumë pakënaqësi e përçarje, ku gjitha sindikatat në vend po protestojnë e po kërkojnë harmonizimin e pagave, dhe fuqishëm po e kundërshtojmë vetëm rritjen e pagës minimale.

Sindikatat thonë se paga minimale nuk po paguhet në përputhje me ligjin ndërsa kërkojnë dhe harmonizim e pagave tjera me atë minimale. Sipas sindikatave, pakënaqësia e anëtarësisë është e madhe dhe kërkohet radikalizim në hapat e mëtejmë.

Gati të gjitha produktet ushqimore që janë elementare bazike kanë shënuar rritje, por vaji mielli dhe sheqeri kanë shënuar vlera rekorde ditëve të fundit. Paniku i shkaktuar nga pasojat e krizave të shumta gjatë kësaj periudhe ka bërë që shumë qytetarë të gjenden pranë pikave shitëse për t’u furnizuar me produktet bazike ushqimore.

Sepse qytetarët e vendit përpos vështirësisë me çmimet e larta të produkteve ata po përballen edhe me frikën nga mungesa e ushqimeve bazë, prandaj ata nxitojnë të blejnë më shumë dhe më lirë, sepse çdo ditë e më shumë çmimet rriten.

Në Maqedoninë e Veriut në muajin mars është regjistruar rritje e çmimit me pakicë për 1.5 përqind në krahasim me muajin paraprak, ndërsa 9.6 përqind në krahasim me marsin e kaluar.

Edhe krahas asaj që në mars Qeveria kishte marrë vendim që si masë parandaluese të ulë TVSH për ushqimet bazë nga 5% në 0%, sërish qytetarët ankohen që çmimet po vazhdojnë të rriten dhe kjo masë nuk është që ka pasur ndonjë efekt lehtësues për shportën e qytetarit.

Se vështirë po e përballojnë qytetarët këtë krizë ekonomike e ngritje enorme të çmimeve kuptohet edhe nga intervistat e shumta të realizuara me qytetarë, sidomos në këtë muaj të festave të cilët njëzëri shprehen se çmimet janë të larta dhe më keq se kaq po vazhdojnë ende të rriten.

Shpenzimet minimale për një familje katër anëtaresh në mars arrijnë 36.768 denarë, sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, e cila çdo muaj e bën llogaritjen e shportës minimale sindikale.

“Nga fillimi i vitit është rritur për 1.000 denarë, ndërsa në krahasim me vitin paraprak në muajin mars është rritur për 3.000,00 denarë. Rritje më të madhe ka te ushqimi, pijet dhe te transporti, që do të thotë vazhdon rritja e njëjtë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Për ushqim dhe pije në mars  nevojiteshin minimum 15.780 denarë, ndërsa për shpenzimet e regjimit 11.597 denarë. Paratë tjera nga shporta minimale sindikale janë për transport, veshë mbathje dhe shërbime shëndetësore.

Sipas këtyre të dhënave jeta në Maqedoninë e Veriut për të rinjtë po shndërrohet në luftë ekzistenciale apo për mbijetesë, ku për dallim me shtetet evropiane standarti jetësor pothuajse i njëjtë, madje për shumë produkte thuhet se në vendet evropiane janë më lirë se sa tek ne, por dallimi substancial ekziston në pagat që merren atje dhe që merren këtu.

Shpenzimet minimale mujore për një familje janë të pa përballueshme nga një i punësuar në familje i cili merr pagë minimale, as gjysmë shporte nuk mund të përmbushet.

Kjo porpos që shkakton zhgënjim e dëshprim, është edhe shtytje për largim nga vendi.

Enti Shtetëror i Statistikave ka publikuar sot të dhënat më të fundit për koston e jetesës dhe çmimet e shitjes me pakicë. Sipas statistikave, në muajin mars inflacioni ishte 8.8 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa çmimet e shitjeve me pakicë 9.6 për qind. Krahasuar me muajin shkurt, ka një rritje me 1.6 për qind të kostos së jetesës dhe 1.5 për qind të çmimeve të shitjes me pakicë./Zhurnal.mk