Kreu i Bankës së Re të Zhvillimit: Angazhimi i Kinës për globalizimin,ofron mundësi për të gjithë

Kina i ngjan një magneti që tërheq investitorët dhe po krijon mundësi për tregjet e reja dhe vendet në zhvillim, tha Marcos Troyjo, presidenti i Bankës së Re të Zhvillimit në një forum gjatë Mbledhjes Vjetore 2022 të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

“Kina do të mbetet për një kohë të gjatë një ndër destinacionet më të mira për investimet e drejtpërdrejta të huaja,” shtoi Troyjo.

Sipas tij, përmasa e madhe dhe qëndrueshmëria e fortë e ekonomisë kineze e bëjnë Kinën qendrën e shumë zinxhirëve të rinj të vlerës. Troyjo shtoi se angazhimi i Kinës për globalizimin do të vijojë të ofrojë mundësi për palët e përfshira në shkallë globale.

Kreu i Bankës së Re të Zhvillimit tha në vijim se reforma strukturore në modelin e rritjes ekonomike, që i jep më shumë rëndësi vlerës së shtuar të lartë, do t’i mundësojë Kinës të ruajë prirjen e rritjes ekonomike në të ardhmen.

Nga ana e tij, presidenti i Forumit Ekonomik Botëror Borge Brende tha se ai është optimist për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë kineze, pavarësht trysnive të tanishme të shkaktuara nga pandemia. Ai shtoi se rritja e qëndrueshme e ekonomisë kineze ka shumë rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike globale.

Përdorimi real i investimeve të drejtpërdrejta të huaja në pjesën kontinentale të Kinës, në tremujorin e parë të këtij viti, u rrit 25.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 56.18 miliardë dollarë. Kina regjistroi në prill një hyrje neto të kapitalit ndërkufitar prej 19 miliardë dollarësh, pavarësisht shtrëngimit të kushteve monetare globale.

Për të inkurajuar më tej investimet e huaja, këtë muaj Kina zgjeroi sektorët ku nxiten investimet e huaja.

Në projektin e versionit të vitit 2022 të Katalogut të Industrive ku Nxiten Investimet e Huaja do të shtohen 238 pika të tjera, ndërsa ato 114 ekzistuese do të modifikohen dhe zgjerohen.