Kovaçevski – Stoltenberg: Maqedonia e Veriut partnere e vlerësuar lartë e NATO-s

Shkup, 3 shkurt – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e filloi vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel me takimin në selinë e NATO-s me sekretarin e përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Shefi i Aleancës theksoi se vendimi i Kovaçevskit për ta vizituar NATO-n menjëherë pas ardhjes së tij në funksionin kryeministror është dëshmi për përkushtimin personal të kryeministrit ndaj Aleancës.

“Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s para thuajse dy viteve, ju u dëshmuat si partner mjaft i vlerësuar, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi të madhe për NATO-n dhe i përshëndesim angazhimet e juaja për promovimin e sigurisë, stabilitetit dhe progresit në rajon, kjo e përfshin edhe pjesëmarrjen tuaj në misionin paqeruajtës në Kosovë”, deklaroi Stoltenberg pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri nga ana e tij potencoi se anëtarësimi në NATO për Maqedoninë e Veriut është përmbushje e qëllimit strategjik të shtetit.

“Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë siguri, prosperitet për vendin dhe popullin tim. Politika e dyerve të hapura i mundësoi Maqedonisë së Veriut ta arrijë qëllimin e vet dhe suksesin e sigurisë për ne dhe për NATO-n me atë që u bë vendi i 30-të anëtar”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se kjo arritje është dëshmi për zgjedhjen tonë të lirë dhe të sigurt si garanci për stabilitetin tonë nacional dhe rajonal dhe sigurinë në Ballkanin perëndimor, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është krenare që është “në mesin e aleatëve më të shpejtë të cilët kanë përfunduar integrimin ushtarak në NATO, veçanërisht pasi mbetemi të përkushtuar në pjesëmarrjen në operacionet dhe misionet e NATO-s”.