Kovaçevski pret që të bëhemi pjesë e BE-së deri në vitin 2030

Shkup, 5 shtator – Qeveria mori vendim për krijimin e një strukture për bisedime për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, informoi sot në konferencë për media kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq do të jetë negociatori kryesor, ndërsa në ekip do të marrin pjesë edhe ekspertë vendorë, nëpunës shtetërorë dhe ekspertë jashtë institucioneve, si dhe ekspertë të huaj.

Kovaçevski beson se institucionet kanë kapacitet për bisedime me BE-në dhe pret strukturë cilësore dhe efikase e cila do të përballet me sfidat. Paralajmëroi se i gjithë procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Ai bëri thirrje për konsensus në shoqëri për arritjen e progresit drejt BE-së, si dhe thirrje opozitës që të marrë pjesë, ta mbështesë edhe ndihmojë procesin.

“Bisedimet duhet të zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar dhe të mbyllen sa më shpejtë. Përfundimi i bisedimeve deri në vitin 2030 është qëllim i cili është i arritshëm”, tha Kovaçevski.

Pret që Maqedonia e Veriut të përfshihet në BE gjatë zgjerimit të ardhshëm dhe të bëhet pjesë e Unionit me mbrojtjen e interesave shtetërore.

“Më 19 korrik kur i filluam bisedimet hapëm një faqe të re të historisë, dëshmuam se marrim vendime shtetërore për përparim të shtetit. Me konferencën ndërqeveritare është përcaktuar angazhimi strategjik për integrimin euroatlantik. Qeveria është e përkushtuar në reformat evropiane. Nuk ka alternativë për BE-në, ajo është qëllimi ynë strategjik”, tha kryeministri Kovaçevski në konferencën e sotme të përbashkët për media në Qeveri me zëvendëskryeministrin përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.