Kovaçevski për zv/ministrat e ri: Kërkova kuadro profesionale dhe i gjeta

Shkup, 10 shkurt – Me 63 vota “pro”, 35 “kundër” dhe pa të përmbajtur, Kuvendi sonte i zgjodhi 16-të zëvendësministrat në Qeveri, të propozuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Zëvendësministër i Mbrojtjes është zgjedhur Bashkim Hasani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme është zgjedhur Nazim Bushi, i drejtësisë Agim Nuhiu, ndërsa e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki.

Në Ministrinë e Financave zëvendësministër është zgjedhur Filip Nikolloski, në Ministrinë e Ekonomisë Zoran Manevski, në Ministrinë e Bujqësisë, Abdylshyqyr Abedini. Zëvendësministër i Shëndetësisë është zgjedhur Vlladimir Rendevski, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës zëvendësministër është zgjedhur Lulzim Aliu,  ndërsa  në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Enver Husejin.

Zëvendësministër i Vetëqeverisjes Lokale është zgjedhur Zoran Dimitrovski, për Kulturës Daim Luçi, për Shoqëri Informatike Aleksandar Bajdevski, për Transport dhe Lidhje Bekim Rexhepi dhe për Mjedis Jetësor Hristina Oxhakievska. Në Ministrinë për Sistem Politik  zëvendësministër është zgjedhur Xhabir Doko.

Kryeministri në fjalën përfundimtare para deputetëve, deklaroi se më e rëndësishme është të punojnë me sinqeritet, përkushtim, profesionalizëm dhe efikasitet.

“Një matricë të tillë, metodologji, sferë pune, kontroll të tillë dhe përgjegjësi kam kërkuar dhe nuk do të heq dorë për të gjitha pozitat e larta qeveritare, si për ministrat ashtu edhe për zëvendësministrat. Siç kam paralajmëruar, kemi plan, me afate, obligime, bartës të obligimeve dhe mënyrë për matje të efekteve ndaj jetës së qytetarëve. Qasja jonë  është e qartë, e sinqertë dhe e matshme. Të gjitha punët – të kaluara, të tashme dhe të ardhme qartë i kumtoj në opinion dhe qëndroj pas tyre, sepse përgjegjësia dhe sistemi i vlerave për mua janë kriteret e larta dhe kështu kërkoj të sillen edhe të tjerët”, shtoi Kovaçevski.

Opozita, sërish akuzoi se është joprofesionale mënyra  në të cilën janë propozuar zëvendësministrat, një pjesë e tyre nuk kanë arsimim adekuat dhe njohje për funksionin e emëruar dhe se një pjesë e madhe e tyre  janë nga  përbërja e Qeverisë kalimtare, e udhëhequr nga Zoran Zaev. Ky funksion, sipas VMRO-DPMNE-së  është i panevojshëm dhe duhet të hiqet. Ata sërish kërkuan  zgjedhje të parakohshme  parlamentare,  për shkak të menaxhimit të keq me krizën  e shkaktuar nga pandemia.

Pas zgjedhjes së zëvendësministrave, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e ndërpreu punën pas seancës së 62-të, ndërsa vazhdimi, tha, sërish  do të caktohet.