Kovaçevski në Pragë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian

Pragë, 6 tetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me ftesë të kryetarit të Këshillit Evropian Sharles Mishel dhe kryeministrit çek, Petër Fiala, sot do të marrë pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë së bashku me liderët nga gjithsej 44 vende, nga të cilat 27 janë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, vende nga Ballkani Perëndimor, Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, si dhe Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Ukraina. Është planifikuar edhe pjesëmarrja e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.

“Programi i ngjarjes përmban debate plenare dhe diskutime në tryeza të rrumbullakëta në lidhje me çështjet aktuale të krizës energjetike dhe ekonomike, energjinë dhe furnizimin me energji, si dhe diskutime në lidhje me sfidat klimatike, por edhe paqen dhe sigurinë në kontekstin e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës”, informojnë nga pres shërbimi i Qeverisë.

Në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian në Pragë, Kryeministri Kovaçevski kryeson delegacionin qeveritar, në të cilin përbërje janë ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, si dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikolovski.

Kovaçevski do të marrë pjesë në seancë plenare së bashku me ministrat Osmani dhe Nikollovski, e më pas me liderët e vendeve evropiane në tryezën e rrumbullakët kushtuar energjetikës dhe ekonomisë. Gjithashtu janë planifikuar takime dypalëshe.

Gjatë vizitës së Kovaçevskit së bashku me kryeministrin e Ukrainës, Denis Shmihal, ai do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës lidhur me tregtinë e lirë dhe sigurimin e ushqimit. Kontratat do të nënshkruhen nga ministri Nikolovski dhe zëvendësministri për zhvillim ekonomik i Ukrainës, Taras Kaçka.

Kryeministri Kovaçevski do të marrë pjesë edhe në Samitin e Partisë Socialiste Evropiane (PES), ku marrin pjesë kryeministra nga radhët e partive socialdemokrate, socialiste dhe demokratike.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë koordinimi politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, e cila synon të bashkojë liderët nga vendet evropiane në frymën e barazisë dhe unitetit një ose dy herë në vit. Nikoqir i ngjarjeve do të jetë Qeveria çeke, e cila mori presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Evropian në korrik, thuhet në kumtesën e Qeverisë.