Kovaçevski në darkë pune te Makron në Pallatin e Eliseut
Shkup, 10 nëntor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në Pallatin e Eliseut ishte mysafir në darkën e punës të organizuar nga presidenti i Republikës së Francës Emanuel Makron, për shefat e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Forumin e Paqes në Paris.
“Darka e punës në Pallatin e Eliseut, me presidentin e Republikës së Francës, Emauel Makron, është një mundësi e shkëlqyer në prag të Forumit të Paqes në Paris, për të ndarë vendosmërinë për veprimin e përbashkët dhe përgjigje efikase të sfisave aktuale në botë”, publikoi Kovaçevski në Fejsbuk.

Kryeministri Kovaçevski sot mori pjesë në hapjen e Forumit të Paqes në Paris, qëllimi i së cilës është nxitja e bashkëpunimit dhe gjetja e zgjidhjes për sfidat me të cilat përballet bota.
Në Forumin që e hapi presidenti francez Makron marrin pjesë disa liderë të shteteve dhe qeverive dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe nga bashkësia akademike.
Në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri Kovaçevski mbajti fjalim me temën “Adresimi i pabarazive dhe implementimi i përshpejtuar i qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm”.
Në suaza të vizitës së punës në Paris, është parashikuar Kovaçevski të mbajë takim dypalësh me ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike, Xhejms O’Brajan.

