Kovaçevski në darkë jozyrtare në Athinë të organizuar nga Micotakis për liderët e rajonit
Athinë, 21 gusht – Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së nga rajoni, përfshirë edhe kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sonte në Athinë do të marrin pjesë në darkën jozyrtare të organizuar nga kryeministri grek, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Darka jozyrtare që do të mbahet në pallatin e kryeministrit ka të bëjë me zgjerimin e Unionit dhe ardhmërisë evropiane të rajonit me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe “Deklaratës nga Selaniku”, ndërsa ftesën e Micotakisit e kanë pranuar edhe kryetarja e KE-së Ursula fon der Lajen edhe kryetari i Këshillit Evropian Sharll Mishell, të cilët do të marrin pjesë në darkën.
Sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, në darkën do të marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe liderët e vendeve nga rajoni që janë anëtarë të BE-së, kryeministrat e Bullgarisë, Kroacisë dhe Rumanisë, ndërsa Shqipëria ishte e ftuar në nivel presidencial, por nuk do të ketë një përfaqësues në Athinë.
Në Greqi, jozyrtarisht përmendet se mund të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, informacion për të cilin, ndoshta për arsye sigurie, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Në prag të darkës jozyrtare të planifikuar për në orën 20:15 me orën lokale, pjesëmarrësit janë planifikuar të zhvillojnë takime dypalëshe.
Kryeministri Kovaçevski do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, takim të cilin e ka paralajmëruar edhe në intervistën e mbrëmshme për Sitel, duke thënë se kryetarja e Komisionit Evropian do të mund të marrë informacione të dorës së parë prej tij për ecurinë e ndryshimeve kushtetuese, ndonëse, siç u theksua, “ajo tashmë i ka të gjitha informacionet, edhe para mbajtjes së seancës në lidhje me paraqitjen”, si dhe për të gjithë procesin.
Nisma e sotme e Micotakis, sipas burimeve të qeverisë greke, shënon rolin udhëheqës të Greqisë si një shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.
Darka jozyrtare për të ardhmen evropiane të rajonit ka edhe karakter simbolik, duke pasur parasysh se 21 qershori shënoi 20 vjetorin e “Deklaratës së Selanikut” të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u zhvillua gjatë Presidencës greke me Unionin dhe hapi rrugën për integrimin evropian të disa vendeve të rajonit.
Për Athinën, 20-vjetori i Samitit në Selanik dhe ftesa e kryeministrit grek drejtuar liderëve të rajonit është një mundësi për të theksuar se Greqia është në anën e Ballkanit Perëndimor dhe si anëtare e familjes evropiane, por edhe si ekonomia më e madhe në rajon dhe dëshira për integrim evropian të rajonit, për të cilin ka edhe parakushte.
Në këtë drejtim janë edhe deklaratat e mëparshme të kryeministrit grek, i cili thekson vazhdimisht mbështetjen e vendosur të Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit, të cilin Athina zyrtare shpesh e thekson se po bëhet edhe më e rëndësishme pas pushtimit rus të Ukrainës.