Kovaçevski mer vendim: Propozimi francez nuk është i pranueshëm për ne

Shkup, 23 qershor – Propozimi i presidencës franceze për zhbllokim të rrugës sonë evropiane në këtë formë siç është për momentin është i papranueshëm për mua, presidentin e shtetit, Qeverinë, partnerët e koalicionit dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama pas përfundimit të Samitit BE- Ballkani Perëndimor në Bruksel.

“Nëse gjatë presidencës franceze arrihet mirëkuptim për pozicionet tona, ne jemi të gatshëm të përfshihemi në bisedime për të njëjtat që të fillojnë bisedimet deri në fund të qershorit”, tha Kovaçevski.

Kryeministri ka thënë se qytetarët mund të jenë të qetë, pasi çdoherë në plan të parë janë interesat strategjike dhe qëllimet e shtetit si dhe ajo se askush nuk mund të na imponojë zgjidhje.

“Të gjithë 27 liderët, të gjitha 27 kombet dhe 27 vendet që iu bashkuan Unionit të gjithë iu bashkuan me krenari me të gjitha dallimet dhe respektimit të ndërsjellë të dallimeve. Asgjë nga kjo nuk është problematizuar në rrugën evropiane. Duhet t’i bashkohemi me krenari BE-së duke përmbushur të gjitha kërkesat për anëtarësim”, tha Kovaçevski.

Ai ka përsëritur elementet kryesore nën të cilat do të ishte i pranueshëm propozimi- formulim i pastër për gjuhën maqedonase në kornizën negocuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese, bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së patjetër të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirje të bullgarëve, kroatëve dhe malazezve në preambulën e Kushtetutës dhe garanci të forta edhe nga Bullgaria dhe BE se Sofja nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj që do të dakordohet në kornizën negociuese dhe protokollin bilateral që ende nuk është harmonizuar me palën bullgare.

Ai ka përsëritur se çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet me institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.