Kovaçevski flet për provokimet ndaj Bullgarisë: Ne gjithmonë reagojmë kur dëmtohet reputacioni në çfarëdo baze

Shkup, 27 shtator – Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në pyetjen e një gazetari se autoritetet nuk reagojnë kur bëhet fjalë për provokimet bullgare, dhe nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar shprehimisht për gjuhën e urrejtjes për ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, thotë se ka gjithmonë një reagim kur ka veprime kur dëmtohet reputacioni në çfarëdo baze.

“Nuk është e vërtetë që nuk kemi reaguar, kemi reaguar gjithmonë kur ka veprime kur cenohet reputacioni në çfarëdo baze. Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar, por ne kemi reaguar edhe për një ndeshje tjetër në të cilën kanë luajtur kombëtaret, por gjithsesi mendoj se mënyra më e mirë për të brohoritur është të bësh tifo ekipin tënd dhe të respektosh kundërshtarët. Kjo vlen për ne sigurisht, por vlen edhe për kundërshtarët tanë”, tha Kovaçevski pas manifestimit për prezantimin e Projektit për lidhshmërinë e rrugëve lokale.

Ministria e Punëve të Jashtme dënoi sot, siç tha, “shprehjen e djeshme të gjuhës së urrejtjes që mund të vërehej gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”.

“Ngjarjet sportive përfaqësojnë shprehjen më të lartë të parimeve në marrëdhënien korrekte, respektit të ndërsjellë dhe konkurrencës në frymën e sportit. Keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për përhapjen e urrejtjes dhe intolerancës është e kundërta thelbësore e idesë së tyre themelore”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministria shton se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive në përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella, si vende aleate në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha fqinjë të mirë.