Kovaçevski është për takim me agjendë të zgjeruar e pa shantazh, Mickoski kërkon datën për zgjedhje
Shkup, 7 maj – Takim liderësh, por pa shantazh dhe me agjendë të zgjeruar është e pranueshme për kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa lideri i opozitës Hristijan Mickoski mbetet në qëndrimin se zgjidhja e vetme për të gjitha problemet janë zgjedhjet e parakohshme dhe se pa këtë çështje nuk mund të bisedohet.
Kryeministri Kovaçevski vlerëson se duhet të ketë takim për temat që, siç tha, janë me interes për qytetarët, e jo e vetmja pikë e rendit të ditës të jenë zgjedhjet e parakohshme, sepse zgjedhje do të ketë në vitin 2024.
“Shantazh me miratime, pesë ditë, katër ditë, pika e vetme e rendit të ditës, zgjedhje të parakohshme – një takim të tillë nuk mund të ketë. Prandaj nuk mund të jetë pika e vetme – zgjedhje të parakohshme”, deklaroi mbrëmë Kovaçevski pas vizitës së kompanisë për industri automobilistike “Markart” në fshatin e Velesit, Kalaslari i Poshtëm.
Sipas Kovaçevskit, bllokimi nuk dëmton as Qeverinë dhe as Kuvendin, por vetëm dëmton kompanitë, qytetarët dhe shtetin.
Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të jenë në nivelin e detyrës së tyre sepse siç tha ai ata nuk zgjidhen nga kryetari i një partie politike, por zgjidhen nga populli dhe duhet të punojnë për nevojat dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Parlamenti të funksionojë…kemi 64 deputetë që mbështesin funksionimin e Kuvendit, po ashtu edhe një parti tjetër që ka hyrë në koalicion dhe nuk ka kufizime për marrjen e vendimeve të nevojshme për qytetarët”, tha kryeministri Kovaçevski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, dje nga Prilepi, ku mori pjesë në trajnimin për kryetarët e komunave të organizuar nga Fondacioni “Konrad Adenauer”, tha se është i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet e hapura dhe të caktojë datën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por pa këtë pyetje nuk mund të diskutohet.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, konsideron se takimet nuk kanë asgjë të keqe, por me kusht që ato të mos kushtëzohen nga imponimi i temave, por për çështje të caktuara dhe të rëndësishme, siç është mbyllja e çështjes me Bullgarinë.
“Sigurisht që na duhet një konsensus politik dhe etnik në vend. Zgjidhja e kësaj çështje forcon stabilitetin, paqen, sigurinë dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve. Mund të ketë një debat dhe një takim për këtë situatë. Por jo për bllokada. Sepse bllokadat dhe bojkoti do të thotë pengesë në mbarëvajtjen e proceseve të mëtutjeshme të vendit”, tha dje kreu i BDI-së, pas promovimit të librit “Arbëreshët mes realitetit dhe mitit”.
Ndërkohë në Kuvend mbeten të bllokuara disa zgjidhje ligjore, si Ligji për Qendrën Klinike, Ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionistë në shkollat fillore dhe të mesme, Ligji për shërbimin në Armatë… dhe deri në fund të muajit maj duhet gjetur ribalanci i shpallur i buxhetit në Kuvend.

