Kovaçevski: EMV në vitin 2022 u përball me krizën me energjinë elektrike dhe termike

Shkup, 2 janar – Pas nesh po lëmë një vit jashtëzakonisht të vështirë në planin energjetik, ndërsa para nesh është një një vit i mbushur me sfida të reja. SHA EMV në vitin 2022 u përball me sfidën e menaxhimit të dy krizave të mëdha – krizën me energjinë elektrike dhe krizën me energjinë termike, thotë në fjalimin e Vitit të Ri drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski.

Si kompani, thekson ai, mund të themi se me sukses e kemi kryer dhe po e kryejmë misionin tonë në këtë kohë të vështirë – sigurojmë energji elektrike dhe ngrohje për qytetarët, për institucionet, për ekonominë, pa, siç nënvizon, asnjë ditë kufizime.

“Në vitin 2022 kemi rritur prodhimin për 27 për qind krahasuar me vitin paraprak. Plani për vitin 2023 është të rritet prodhimi i energjisë elektrike për rreth 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Arritëm t’i vëmë në funksion të gjitha kapacitetet prodhuese vendase të energjisë elektrike, ndërsa me këtë ulet varësia nga furnizimi i energjisë së shtrenjtë. Prodhimi vendas është më i liri dhe prandaj po e rrisim. Përveç kësaj, në kohë krize i ulim ndjeshëm shpenzimet për prodhim dhe shpenzimet joproduktive. Kështu, arrijmë ta mbajmë çmimin më të ulët e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset e vogla”, shpjegon drejtori i SHA EMV.

Sipas tij, periudhën e kaluar kompania ka treguar se me menaxhim të mirë mund të sigurojnë sasi të mjaftueshme të qymyrit, mazutit dhe gazit natyror.

“Kemi marrëveshje të qëndrueshme për furnizimin e energjensave, si dhe për nevoja të tjera për procesin e prodhimit. Gjatë krizës energjetike, ne iu përgjigjëm të gjitha detyrave të Qeverisë. Për qytetarët dhe bizneset e vogla kemi siguruar 100 për qind rrymë, ndërsa me energji të lirë i furnizojmë spitalet, shkollat, ndërmarrjet e ekonomisë së ujit, kapacitetet ushqimore, si dhe shumicën e institucioneve vitale në shtet”, thekson Kovaçevski.

Duke u përqendruar në energjinë termike për Qytetin e Shkupit, Kovaçevski vlerëson se SHA EMV me sukses po përballet me sigurimin e resurseve të nevojshme dhe dërgesën e energjisë termike.

Krahas krizës aktuale, thekson Kovaçevski, paralelisht po realizohen edhe investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Përkujton se është vënë në funksion termocentrali i parë shtetëror fotovoltaik në Osllomej, ndërsa ndërtohen edhe dy të tjerë me partnerë privatë nga jashtë. Në vijim janë duke përgatitjet për termocentrale të reja fotovoltaike në REC Manastir, Tikvesh, Mavrovë dhe lokacione të tjera.

“Po rritet kapaciteti i parkut me erë në Bogdanc, ndërsa po përgatitet parku i ri me erë në Miravc. Në vijim është faza e tretë për rivitalizimin e potencialit hidro, ndërsa pritet edhe një procedurë e suksesshme për hidrocentralin me rëndësi strategjike të Çebrenit. Tranzicioni energjetik është në vijim dhe fuqishëm do ta vazhdojmë. Duhet të kujdesemi për shëndetin tonë, për një mjedis jetësor të shëndetshëm dhe të pastër”, nënvizon drejtori i SHA EMV.

Ai u shprehu falënderim të gjithë të punësuarve në miniera, termocentrale, hidrocentrale, shërbime dhe ekipin menaxhues të SHA EMV, Qeverisë dhe të gjithë atyre, siç thotë, që ndihmuan me kontributin dhe angazhimin e tyre shtesë për të tejkalohen të gjitha sfidat që i solli kriza.