A do të hyjë Aleanca për Shqiptarët në Qeveri? Flet kryeministri Kovaçevski
Shkup, 13 tetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se deri më tani nuk ka caktuar takim zyrtar me udhëheqësinë e Aleancës për Shqiptarët, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a zhvillohen bisedime për hyrje të kësaj partie në Qeveri.
“Jam takuar vetëm me deputetin e Aleancës, profesorin Elmi Aziri, i cili ishte pjesë e Këshillit Ekonomik në përbërje të zgjeruar, me të cilin diskutuam për masat ekonomike”, deklaroi Kovaçevski në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Gjatë ditëve të kaluara u shfaqën informacione se Aleanca për Shqiptarët do të hyjë në Qeveri, por përfaqësues të udhëheqësisë së partisë i mohuan pretendimet e tilla.
Ushtruesi i detyrës kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari deklaroi se për momentin nuk kanë ofertë që të hyjnë në Qeveri.
“Temën për atë nëse duhet të hyjmë ose të dalim nuk e kemi diskutuar, ne nuk kemi qenë pjesë e Qeverisë, e as kemi menduar për këtë. Por, do të mendojmë, do ta shqyrtojmë opsionin nëse ekziston një propozim i tillë, por tani për tani nuk ka një gjë të tillë”, tha Taravari.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët dhe anëtar i udhëheqësisë partiake Syrija Rushidi, deklaroi se zërat për hyrje të partisë në Qeveri, janë vetëm spekulime.
“Kjo temë nuk është shfaqur në asnjë mbledhje”, deklaroi Radhidi, duke shtuar se Aleanca për Shqiptarët është subjekt serioz politik, i cili nuk merr vendime në bazë të spekulimeve, por në bazë të asaj që është reale dhe objektive.
Balancuesi në sektorin publik nuk duhet të keqpërdoret
Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi sot se nuk duhet të keqpërdoret Balancuesi për punësim në sektorin publik. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së pasdites në Qeveri, Kovaçevski tha se Balancuesi është prezantuar nga Qeveria e kaluar dhe se rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit, por se me vite është treguar se kandidatët me përkatësi të ndryshme etnike aplikojnë për tu punësuar.
“Është vendosur nga Qeveria e kaluar, si mjet, dhe e gjitha buron nga Marrëveshja e Ohrit. Balancuesi ende punon tani, por numrat kanë ndryshuar në bazë të Regjistrimit të ri. Çështja e keqpërdorimit është çështje etnike dhe deri diku fushë juridike, sepse në të kaluarën është treguar se shpesh ndodh që dikush që është për shembull maqedonas ose shqiptar etnik të shkruhet si turk, që nuk është etike. Nuk duhet keqpërdorur”, tha Kovaçevski.
I pyetur për të komentuar deklaratën e zëvendëskryeministres Sllavica Gërkovska, kryeministri tha se qëndrimi i saj ndoshta është i njëjtë dhe se aludon për vendosjen e mekanizmave që nuk do të lejojnë keqpërdorime.
Zëvendëskryeministrja për Politika të Qeverisjes së Mirë, Gërkovska, të martën përsëriti qëndrimin e saj se Balancuesi si mjet për përfaqësim të drejtë në punësim në administratë tashmë e ka tejkaluar funksionin e tij dhe se duhet të shqyrtohet një model i ri dhe zgjidhje ligjore që do të rrisin cilësinë e punësimit.