Kovaçevski – Al Atija: Interesim për avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi

Shkup, 17 mars – Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, është takuar me një delegacion të Shtetit të Katarit, i kryesuar nga Halid bin Mohamed Al Atija, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, në të cilin është shprehur përcaktimi i përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në sferën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

Siç informojnë nga shërbimi për informim i qeverisë, është transmetuar ftesa për kryeministrin Kovaçevski, nga kryeministri në Doha, për vizitë zyrtare në Katar. Theksojnë se është vlerësuar se Republika e Maqedonisë së Veriut tregon lidership në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe shënon progres.

Kovaçevski ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut e konsideron Shtetin e Katarit si vend miqësor dhe ka informuar se ekziston interesim për përfaqësim të mundësive për investim në shtetin tonë, para biznesmenëve në Katar.

“Investojmë në standardin e qytetarëve dhe seriozisht jemi të interesuar për investime të reja. Kemi ligje sipas standardeve evropiane dhe politikave monetare sipas standardeve të FMN-së. Janë stabilë denari dhe parametrat makroekonomike. Gjithashtu, kontribuojmë në stabilitetin rajonal si shtet anëtar i NATO-s dhe përmes zhvillimit në iniciativën Ballkani i Hapur. E gjithë kjo hap mundësi për zhvillim të bashkëpunimit të ndërsjellë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Sa i përket ruajtjes së paqes në botë, është ndarë qëndrimi se është me rëndësi thelbësore arritja e zgjidhjeve përmes dialogut.

Në lidhje me situatën në Ukrainë, kryeministri Kovaçevski ka theksuar se pozicioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut është në përputhje të plotë me pozicionet e partnerëve tanë strategjikë NATO, SHBA dhe BE, me dënim më të ashpër të pushtimit rus në Ukrainë, qëndron në kumtesë.