Koreja e Veriut ka gjuajtur edhe ​​dy raketa balistike

Koreja e Veriut ka gjuajtur dy raketa balistike me arritje të shkurtër veprimi drejt detit në afërsi të bregut lindor, kumtoi ushtria e Koresë së Jugut.

Ky është lëshimi i katërt i Phenianit për një javë, me çka i ka rritur tensionet në Gadishullin Korean, ku marina e Koresë së Jugut, SHBA-së dhe Japonisë dje kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta kundër nëndetëseve për herë të parë që nga viti 2017 dhe pasi nënpresidentja e SHBA-së Kamala Haris e vizitoi rajoni këtë javë.

Dy raketa me rreze të shkurtër veprimi janë lansuar nga Sunan, në veri të Phenianit, kryeqyteti i Koresë së Veriut, theksohet në kumtesën e Shtatmadhorisë së armatës së Koresë së Jugut.

Në kumtesë saktësohet se distanca e parashikuar e raketave ishte 350 kilometra dhe se ato fluturuan në lartësi prej 30 kilometrave me shpejtësi prej gjashtë maha.

Me rastin e 74-vjetorit të forcave të armatosura të Koresë së Jugut, presidenti Xhun Suk-Jol i dënoi, siç tha, provokimet e fundit ushtarake të Koresë së Veriut dhe u zotua të shtojë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA-në.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj Koresë së Veriut për shkak të raketave balistike dhe testeve bërthamore.

Pheniani i hedh poshtë sanksionet si shkelje të të drejtës së tij sovrane në vetëmbrojtje dhe hulumtim në hapësirë.