Kopshti zoologjik në Çeki “në alarm” pasi një familje u kap duke “keqtrajtuar majmunët”

Një kopsht zoologjik në Republikën Çeke ka nisur një apel publik pasi një familje u filmua duke ngacmuar dhe ushqyer majmunët në mënyrë të papërshtatshme dhe potencialisht të rrezikshme.

Megjithëse kishte tabela të qarta që ndalonin kontaktin dhe ushqyerjen e kafshëve, familja jo vetëm që i preku, por edhe i tërhoqi nga bishti dhe u dha ushqim të panjohur, që mund të rezultojë toksik për to, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Një burrë dhe një grua – të dyshuar se janë prindërit e një vajze të vogël bionde që ndodhet aty pranë – shihen duke joshur majmunët me ushqim.

Një nga majmunët zgjat dorën për të marrë ushqimin, por sapo përpiqet të largohet, gruaja e tërheq nga bishti.

Përfaqësuesit e kopshtit zoologjik shprehen të shqetësuar:

“Kjo sjellje e papranueshme mund të ketë pasoja fatale për kafshët tona. Ju i preket dhe i ushqyet ato, ndonëse tabelat e ndalojnë qartësisht një gjë të tillë”.

Apeli për identifikimin e familjes është shpërndarë në mediat sociale dhe zyrtarët e kopshtit duan të kuptojnë saktësisht çfarë ushqimi iu dha majmunëve, për të marrë masa parandaluese në rast ndonjë reagimi të vonuar nga kafshët.