Konsensus nacional për progres të qëndrueshëm dhe parashikim të reformave në rrugën drejtë BE-së

Shkup, 1 nëntor – Progres i qëndrueshëm dhe parashikim në agjendën e reformave dhe procesin e anëtarësimit drejtë BE-së për vendin është i mundshëm nëse miratimi i reformave bëhet projekt në nivel nacional, porositi euroambasadori Dejvid Gir. Për pushtetin procesi i bisedimeve do të jetë i vështirë, bisedimet do të jenë të dhimbshme, por shpërblimi është anëtarësimi në BE, sepse qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan të jenë pjesë e BE-së.

Shefi i Delegacionit të BE-së, ambasadori David Gir, në prezantimin e Raportit të KE-së për vitin 2022, tha se më shumë se kurrë ai është një udhëzues që synon të gjithë vendin se si të përparojë në procesin e anëtarësimit për sa i përket reformave të shumta për hyrje në BE, i cili përfshin të gjithë aktorët socialë dhe mbi të gjitha, për Qeverinë, por edhe për Parlamentin, i cili do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.

“Këtyre vëzhgimeve i është kushtuar shumë vëmendje duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që do të luajë Parlamenti në procesin e anëtarësimit. Por kjo është pjesë e një fenomeni më të madh të polarizimit politik në një nivel më të gjerë që kërkon përpjekje nga të gjithë aktorët politikë për t’u shëruar… Përpjekjet e përbashkëta të të gjitha partive politike janë prioritet për të forcuar rolin vendimtar të Parlamentit si një shtyllë politike. Sesioni i sotëm është një shembull tjetër i gatishmërisë për bashkëpunim mes partive të ndryshme në Kuvend”, tha Gir.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori Bojan Mariçiq theksoi vlerësimin e përgjithshëm të Raportit të KE-së se në rreth 90 për qind të fushave kemi gatishmëri të pjesshme apo të mirë dhe nënvizoi qëndrimin e Qeverisë se ky moment duhet të shfrytëzohet dhe të tregojë potencialin e tij të plotë përmes përshpejtimit të reformave. Ai bëri thirrje për bashkimin dhe konsensusin e të gjitha forcave politike në Parlament për të arritur këtë synim tre dekadash të anëtarësimit në BE deri në fund të kësaj dekade, pra deri në vitin 2030, siç u angazhuam edhe në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

“Pres nga ana juaj përkushtim të plotë dhe një dorë ndihme që së bashku të festojmë sukseset dhe të kapërcejmë sfidat që pasojnë në rrugën e integrimit evropian, sepse vetëm të bashkuar do të mund ta realizojmë këtë detyrë kombëtare. Konsensusi është i nevojshëm si për reformat ashtu edhe për përfundimin e suksesshëm të negociatave”, tha Mariçiq.

Deputetët e shumicës në pushtet dhe të opozitës, shkëmbyen akuza për atë se kush është shkak për vlerësimet e dobëta për funksionimin e Parlamentit.

Deputeti nga radhët e opozitës VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski, në fjalimin e tij me qëndrimin se procesi nuk duhet të jetë partiak dhe tha se kemi negociator partiak, prandaj sipas tij ka mosbesim në procesin e integrimeve evropiane. Ai prezantoi një analizë krahasuese të Raportit të KE-së për vendin për 31 fusha, sipas të cilit Maqedonia e Veriut shënon zero ose asnjë progres në pesë pozicione, dhe 1 në 10, pra progres i pakënaqshëm, dhe Kuvendi, tha ai, është vlerësuar me më të ulëtat pikë në raport në katër vitet e fundit.

Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM-ja theksoi se Raporti i KE-së është udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme të institucioneve, por në veçanti i referohet Kuvendit si Dhoma më e lartë legjislative që ka rol kyç në procesin e integrimeve evropiane dhe vlerësoi performancën e Milloshoskit në përputhje me, siç thotë ajo, atë që opozita bën në veprim në Kuvend.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në një intervistë për “HardTalk” në BBC theksoi se janë arritur disa qëllime kyçe për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian – gjuha e pastër maqedonase, identiteti maqedonas dhe çështjet historike të mos përfshihen në kornizën negociuese.

“Ju përmendët punën e komisionit historik, ai punon me katërmbëdhjetë anëtarë, shtatë nga pala maqedonase dhe shtatë nga pala bullgare të cilët mund të marrin vendime vetëm me konsensus dhe ato vendime mund të zbatohen në baza reciproke midis dy vendeve. Dhe kjo është në fakt marrëveshja ku ata, historianët, do të merren me çështjet historike. Ne nënshkruam marrëveshjen e parë me BE-në, në të cilën ka një gjuhë të pastër maqedonase, pa fusnota, pa shpjegime, dhe më e rëndësishmja, në lidhje me marrëveshjen e Frontex, Greqia dhe Republika e Bullgarisë miratuan një marrëveshje në të cilën ekziston një marrëveshje në të cilën ka një gjuhë maqedonase të pastër,” tha Kovaçevski.

Lidhur me integrimet në BE, kryeministri Kovaçevski tha se ky proces për anëtarësim në BE kishte ngecur edhe para fillimit, njëmbëdhjetë vjet më parë nga Qeveria e kaluar, sepse nuk ishin të gatshëm të lëviznin as një milimetër.

“Ata nuk morën asnjë vendim. Ne kemi dy koncepte në këtë vend. Një koncept, të cilin unë udhëheq, është që maqedonasit dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, me kokën lart, me dinjitet, të ulen në tryezën e madhe në Bruksel dhe të shprehin qëndrimin e tyre për të gjitha çështjet, të negociojnë dhe të bëhen anëtarë të BE. Koncepti tjetër është me dinjitet të rremë, të ulesh në tryezën e vogël këtu, në Maqedoninë e Veriut, i vetëm, i izoluar, në konflikt me fqinjët, pa bisedime me BE-në.Këtë e kemi parë prej vitesh të ulur në një tavolinë të vogël, me dinjitet të rremë. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të marrë vendime që do të sjellin një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Sepse në fund e di që ky proces do të jetë i vështirë, negociatat do të jenë të dhimbshme, e di këtë, e dinë të gjithë qytetarët, por shpërblimi është anëtarësimi në BE, sepse qytetarët e Maqedonisë duan të jenë pjesë e BE-së, duan të jetojnë në BE, por në vendin e tyre këtu, e jo të largohen nga vendi dhe të punojnë në vendet anëtare të BE-së”, theksoi Kovaçevski.

Ministri i Financave Fatmir Besimi dje në takim me euroambasadorin Dejvid Gir në kontekst të përpjekjeve të cilat i bën vendi në rrugën drejtë Bashkimit Evropian ka informuar se Ministria e Financave tashmë është duke përgatitur planin aksional për zbatimin e rekomandimeve nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian (KE), por po punohet edhe mbi zbatimin në praktikë të këtyre reformave që tashmë janë theksuar në Raportin e KE-së, siç është Ligji i Buxheteve. Besimi theksoi se konfirmimi i kësaj është edhe njoftimi lidhur me përkrahjen financiare prej 80 milionë eurove nga BE-ja për përballimin e krizës, si dhe vënia në dispozicion të 500 milionë eurove – pako investimesh për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk tërhiqet nga pikësynimet e përcaktuara, për të arritur një shoqëri më me prosperitet, rritje më të lartë ekonomike dhe integrim të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë rrugë, kemi përkrahje sinjifikative nga BE-ja, qoftë përkrahje financiare ashtu edhe teknike. Në kuadër të Programit të reformave ekonomike, të cilin çdo vit e përgatisim së bashku me BE-në, përcaktohen masat dhe politikat që na përafrojnë me standardet evropiane. Aktualisht, po punohet lidhur me Programin e ri të reformave ekonomike, i cili duhet të miratohet nga Qeveria në muajin janar të vitit 2023. Mjetet e disponueshme nëpërmjet fondeve IPA kanë kontribut të rëndësishëm për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike”, tha ministri Besimi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, gjatë ditës së djeshme në panelin e diskutimit me temën “Harmonizimi i legjislacionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut me standardet dhe rregulloret evropiane nga MPB”, organizuar nga Kuvendi i Studentëve dhe Asociacioni i Universiteti i Evropës Juglindore, tha se ka vendosmëri dhe gatishmëri institucionale dhe politike për angazhim intensiv dhe profesional në harmonizimin e legjislacionit me legjislacionin evropian.

“Kur flasim për harmonizimin e ligjeve vendore dhe për aktet nënligjore me ato të Unionit Evropian, konkretsisht në fushën e funksionimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, atëherë të jemi më preciz e të themi se bëhet fjalë për realizimin ose implementimin operativ të standardeve të Kapitullit 24- drejtësi, liri, siguri, nga skriningu aderues i procesit të UE-së, si fusha të politikës publike të cilat janë posaçërisht të rëndësishme për sovranitetitn e një shteti. Qëllimi kryesor i tyre është të sigurohet lëvizja e lirë e njerëzve, me garantimin e sigurisë së tyre”, tha ministri Spasovski.

Në konferencën në Shkup të kryetarëve të këshillave gjyqësorë të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Cërvenkovska, në kuadër të integrimeve evropiane, theksoi se bashkëpunimi rajonal është i nevojshëm për të krijuar një sistem të përhershëm komunikimi për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.

“Nëse duam një të ardhme evropiane për vendin dhe rajonin tonë, atëherë duhet të kemi edhe një gjyqësor evropian, që do të thotë se duhet të ndryshojmë perceptimin e qytetarëve. Kjo është e mundur vetëm nëse kemi një Këshill Gjyqësor të pavarur dhe gjyqtarë të pavarur. Ne të gjithë po ecim në atë rrugë, dikush është përpara, dikush është prapa, kjo është arsye e mjaftueshme për të filluar një epokë të re – një epokë në të cilën nuk do të jemi të huaj për njëri-tjetrin, por do të jemi partnerë për të arritur qëllimin më lehtë dhe së bashku”, tha Cërvenkovska.

Sipas paralajmërimeve të Girit dhe Mariçiqit, Maqedonia e Veriut më 11 nëntor do ta fillojë skriningun dypalësh si pjesë e procesit të anëtarësimit në të cilin nga ana e BE-së janë përfshirë rreth 800 ekspertë.