Konfiskimi i pronës së VMRO-DPMNE-së përplasë LSDM-në dhe VMRO-në

Shkup, 9 qershor – Rasti i fundit i djeshëm “Talir 2”, ku gjykata vendosi të konfiskojë selinë e VMRO-DPMNE-së, dhe shqiptoi dënim me burg prej gjashtë viteve për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, ka përplasur dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në, informon Zhurnal.

Siç shprehen sot nga LSDM, ky rast ka konfirmuar krimin epik të VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti thonë se VMRO-DPMNE ka vjedhur qytetarët, ka grumbulluar pronë, luks dhe para në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, ndërsa qytetarët ishin zhytur në varfëri të skajshme.

“Përmes një procesi gjyqësor të bazuar në prova dhe dëshmi, u vërtetua se janë keqpërdorur shuma milionëshe të parave, se janë shkelur rëndë ligjet që VMRO-DPMNE sot të jetë një nga partitë më të pasura në Evropë.

Skema kriminale për Shtëpinë e Bardhë është drastike, e pahijshme dhe me përmasa epike, por me aktgjykimin e fundit është korrigjuar një tjetër padrejtësi.

Edhe pas aktgjykimit të fundit si dhe atij paraprak kundër funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në vend që të kërkojë falje dhe t’i dënojë veprimet e kundërligjshme, ai me këmbëngulje qëndron në mbrojtjen e krimit”, shprehen mes tjerash nga LSDM.

Ndërkaq nga VMRO-DPMNE akuzojnë se ky proces gjyqësor është diktuar nga LSDM. Nga DPMNE thonë se pikërisht selia e LSDM-së ishte përvetësuar si ish ndërtesë e Ministrisë së Arsimit.

Nga DPMNE thonë se këto veprime janë përshkak se LSDM-së po i bie rejtingu dhe brenga e tyre nuk janë populli por objektet.

“Vendimi për Talir është një defokus mbi jetën në një katastrofë kombëtare, rritje çmimesh dhe grabitje të njerëzve.

Prokuroria dhe gjykata janë krah i zgjatur i LSDM-së.

Aktgjykimi për rastin Talir 2 është shkruar para kohe. I njëjti është njoftuar më pak se 24 orë pas fjalës përfundimtare. Kur gjyqtari gjen kohë për të analizuar fjalët përfundimtare dhe kur gjen kohë për të shkruar gjykimin.

Për dallim nga pasuria e VMRO-DPMNE-së, e cila është fituar në mënyrë të ligjshme, LSDM-ja ka uzurpuar pronën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

LSDM është e vetmja parti në botë që ka seli partiake ndërtesën e Ministrisë së Arsimit.

Shtabi partiak i LSDM-së në vend të konviktit si për studentët e Fakultetit të Mjekësisë tani është selia e partisë më kriminale.

LSDM duhet të thotë se si e kanë gjetur ulësen e tyre që është simbol i luksit?

Institucionet duhet ta hetojnë rastin se si një shtet u bë seli partie”, pyesin nga VMRO-DPMNE.

Nga DPMNE paralajmërojnë protesta më datën 18 qershor në ora 20:00 para Qeverisë./Zhurnal.mk