Komuna e Tetovës ka angazhuar 43 njerëz me kontratë në vepër, gjithsej 135 në vitin 2022
Tetovë, 12 tetor – Komuna e Tetovës kumtoi se ka punësuar 43 njerëz me kontratë në vepër për tremujorin e tretë të vitit 2022. Sipas informatës së tyre nga korriku deri në shtator, mes kontratave të bëra 29 janë për angazhime të reja, si zjarrfikës në Njësinë zjarrfikëse territoriale (NJZT) si nevojë e domosdoshme.
“Të mësuar nga përvoja me zjarret dhe vërshimet të cilat i kemi në periudhën e kaluar, ndërsa kurfarë ndihme dhe mbështetje nga Qeveria, duhet të fokusohemi në përforcim të potencialit dhe fuqisë së punës në njësinë zjarrfikëse të Tetovës, i cili pati detyra jashtëzakonisht të rënda këtë periudhë. Mu me këto 29 kontrata në NJZT, arritëm ta tejkalojmë mungesën e resurseve njerëzore, e me atë garantojmë punë më të suksesshme të heronjve tanë dhe siguri më të madhe për qytetarët”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Të angazhuarit e tjerë janë në arsim dhe agroturizëm.
“Angazhuam edhe ekspertë për agroturizëm, pasi që pamë se ky spektër ishte anashkaluar totalisht nga kryesia e kaluar. Bujqësia dhe turizmi rural marrin mbështetje pa rezervë. Disa kontrata janë bërë edhe në sektorin e Arsimit, ku njejtë punojmë me kapacitet të plotë për kushte më të mira të kuadrit mësimor dhe nxënësve. TË gjithë të punësuarit m kontratë në vepër, deri në fund të secilit muaj rregullisht parashtrojnë raporte për punën e kryer”, thuhet në informatën e publikuar në faqen e Internetit të Komunës.
Komuna për tre muajt e parë publikoi listë për 78 kontrata të bëra në vepër, përderisa për tremujorin e dytë ka angazhuar 14 njerëz në të njejtën bazë. Me më të rejat, gjithsej 135 njerëz punojnë prej këtij viti për Komunën e Tetovës me kontratë në vepër.