Komuna e Çairit shënon 7 Marsin, ditën e mësuesit

Shkup, 7 mars – Arsimi është vlera e vërtetë dhe unike e një kombi, është fryma, ekzistenca, shtylla kryesore e tij. Peshën e kësaj vlere nuk mund ta barazojmë më asgjë tjetër më të çmueshme se Arsimi.

Kështu u shpreh sot kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu para mësimdhënësve, veteranëve të arsimit dhe ministrit të arsimit, Jeton Shaqiri, informon Zhurnal.

Ganiu theksoi se mësimdhënësit secilën ditë janë tejet të rëndësishëm për të gjithë ne, mirëpo sot në veçanti shënojmë këtë ditë për të përkujtuar rrugëtimin e arsimit shqip, për t’i ngritur sa më lart traditat dhe arritjet e shkollave, për të çmuar e të nderuar figurat e mësuesve dhe punonjësve të arsimit.

“Sot 135 vjet nga themelimi i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, procesi edukativo-arsimor në Komunën e Çairit po zhvillohet përkitazi me standardet bashkëkohore me shumë rezultate të shkëlqyeshme të nxënësve nëpër gara vendore e ndërkombëtare dhe e gjithë kjo si rrjedhojë e punës së palodhshme të gjithsecilit prej mësimdhënësve dhe edukatorëve tanë.

Nëse drita e diturisë është më e ndritshmja, atëherë mësimdhënësit janë burimi i kësaj drite”, u shpreh Ganiu.

Ndryshe në manifestimin e sotëm u shpallën edhe 12 mësimdhënësit më të dalluar të Çairit, u nderuan 33 pensionistë, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtori i SHFK “Jashar Bej Shkupi”, si dhe post mortem u nderua njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj të arsimit në komunën tonë, ish-drejtori i SHFK “Vasil Gllavinov”, Qamuran Kuçi./Zhurnal.mk

https://www.facebook.com/VisarGaniu.Cair/posts/503337574479483