Kompanitë në hall, s’ka punëtorë!
Shkup, 21 dhjetor – Vlera e punëtorit kuptohet më mirë e më shumë atëherë kur mungon klasa punëtore, e po në këtë fazë ka hyrë Maqedonia e Veriut, pasojat e autobusëve të mbushur çdo ditë me udhëtarë pa biletë kthyese, kanë filluar të ndjehen tani. Ikja e të rinjve ka filluar vite më parë, tani më kjo veçse po vazhdon dita ditës po shtohet edhe më shumë që ngjanë sikurse nuk do të mbetet as edhe një i ri i vetëm, Maqedonia e Veriut do të shndërrohet në strehimore për të moshuarit dhe çerdhe për fëmijët, por asesi vend i përshtatshëm për të rinjtë. Mbase, në fillim të ikjes së të rinjve bizneset e politikanët nuk u brengosën shumë, por tani më kur filluan të ndjehen thellësisht mungesat për punëtorë kanë filluar të ndajnë shqetësimet e tyre. Në një kohë punëtori në sektorin privat ishte skllav e punëtori në sektorin publik “burekxhi”, malltretohej e keqpërdorej klasa punëtore në cilin do qoftë sektor, thjesht dhe poshtërsisht shfrytëzohej secili punëtorë maksimalisht, e në kompenzim të këtij shfrytëzimi jepje një pagë simbolike e cili ishte më shumë periodike se mujore, jepej atëherë kur punëdhënësi dëshironte dhe jo kur duhej, shumë punëtorë as që regjistroheshin e që nuk kishin as sigurim shëndetësore, pa kontribute të paguara, keq e më keq. Tani kjo situatë tragjike ka marrë fund, këta punëtorë kanë gjetur vendin ku vlerësohet puna e tyre, shkruan Zhurnal.
Kompanitë: S’ka punëtorë as pa përvojë!
Oda Ekonomike në analizën e bërë për investitorët e huaj në vend nxjerr në pah që në vitin 2022 janë përmbushur vetëm 20% e qëllimeve që janë planifikuar nga kompanitë. Sipas tyre faktorët që ndikuan në këtë ulje të produktivitetit janë lufta në Ukrainë duke shkaktuar vonesa të transporteve të mallrave, mungesë të lëndës së parë të prodhimeve dhe si pasojë ulja e porosive nga shtetet e jashtme. Kurse, kriza energjetike sipas Odës ka ndikuar në 55% të rritjes së shpenzimeve te kompanitë e huaja që kanë investuar në zonat e lira ekonomike të vendit. Gjorgji Trençevski nga Oda Ekonomike tha se mungesa e fuqisë punëtore vërehet në 84% e kompanive të anketuara që janë kryesisht investitor të huaj në vend.
“84% e kompanive janë deklaruar se kanë problem gjatë gjithë kohës ose herë pas here në gjetjen e fuqisë punëtore. Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me mungesë të kuadrit të kualifikuar, por mund të themi se nuk gjejmë dot as punëtor të pakualifikuar, ky problem sa vjen e rritet për kompanitë private. Për administratë është relativisht më lehtë të gjejmë se sa teknikë dhe inxhinierë vështirë më të gjejmë dhe këtë problem serioz e ndiejnë kompanitë e industrisë”, deklaroi Gjorgji Trençevski, Oda Ekonomike, transmeton Alsat.mk.
Rezultate trishtuese dhe treguese të qartë të asaj se çfarë po e pret këtë vend, kur gjatë periudhës së verës gastronomia ishte në kolaps për punëtor, madje ishin në gjendje të pranojnë edhe punëtorë nga shtetet e Lindjes vetëm që të mos mbyllin bizneset e tyre. E tani janë vonë sepse kur kishin punëtorë nuk i vlerësonin sa e si duhej, tentonin t’i shfrytëzonin maksimalisht e për gjithçka. Ky keqpërdorim dhe shfrytëzim i skajshëm i punëtorëve ka ndikuar që të rrit vrullin dhe dëshpërimin për tu larguar nga ky vend ku nuk të vlerësohet puna por tentohet të keqpërdoret dëshira e nevoja për punë.
Të rinjtë po ikin nga RMV-ja me një hov të jashtëzakonshëm-
Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia për Rini dhe Sport në RMV, e realizuar nga periudha janar-mars 2022, çdo i treti i ri do që ta lëshojë vendin pas mbarimit të shkollimit. Si arsye kryesore llogariten, mos pasja e mundësive të barabarta, mungesa e drejtësisë, nepotizimi, si dhe mungesa e arsimit cilësorë në të gjitha nivelet etj.
Këto dhe shumë faktorë të tjerë dëshmojnë se rinia nuk po largohet por po dëbohet nga mungesa e funksionimit normal të një shteti ashtu si duhet, dhe personave të dëbuar nuk u kërkohet llogari për mos qëndrimin e tyre në vendin e dëbimit.
Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.
Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit.
Pasojat sociale dhe ekonomike të ikjes së të rinjve
Edhe sektori ekonomik dhe ai social dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejt nga ikja e të rinjve. Interesimi i lartë i të rinjve e lë vendin pa fuqi punëtore. Kjo do të reflektojë edhe në ngadalësimin e ritmit të zhvillimit ekonomik. Tregues i lartë që edhe për gjatë kohë vendi do të ngec pa pasur ndonjë progres ekonomik.
Shteti duhet të krijojë oferta reale për investitorët ndërkombëtarë, që do të gjeneronin vende të reja pune. Sidomos në pjesët e banuara me shqiptarë që vendet e ato rajone kanë mbetur të pa zhvilluara, e ende figurojnë në hartat e investitorëve si zona rreziku për investim. Pasojat e këtij fenomeni janë më të gjera sesa vetëm ekonomike. Me largimin e rinisë zvogëlohet potenciali krijues e kreativ. Përpos kësaj pasuria sociale do të shkojë drejt varfërisë me çka vendi do të përballet me krizën e pa parë më parë “mungesë banorësh”. /Zhurnal.mk

