Kompania me dokumente falso fitoi tenderin për blerjen e produkteve higjienike për Qeverinë, ministritë dhe Presidencën

Shkup, 20 Tetor – Ndaj një kompanie dhe menaxherit të saj është hapur hetim për keqpërdorim të procedurës për tenderime publike të produkteve higjienike të destinuara për Qeverinë, Presidentin, ministritë, njoftoi sot Prokuroria Publike, transmeton Zhurnal.mk.

Në vitin 2018, menaxheri i dyshuar, përmes personit juridik, ka lidhur marrëveshje me Shërbimin Qeveritar për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta për blerjen e produkteve higjienike me dokumente false.

Kontrata parashikonte që prokurimi publik do të kushtonte rreth 3.4 milionë euro për një periudhë trevjeçare dhe në bazë të kontratës menaxheri dhe kompania morën nga qeveria 25 për qind të shumës së rënë dakord, ose më pak se një milion euro.

Shërbimi qeveritar kryen punë dhe shërbime të përgjithshme për nevojat e Presidentit të Shtetit, Qeverisë, ministrive dhe organeve në përbërje, sekretariateve dhe shërbimeve të tjera profesionale të Qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2021, e njëjta kompani, sërish si pjesë e një grupi të kompanive, është paraqitur në procedurë për blerje publike të produkteve higjienike të kryer nga Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sërish në bazë të dokumenteve të rreme, sipas njoftimit, me personin juridik të dyshuar si mbajtës i ofertës grupore është lidhur kontratë dhe i janë paguar rreth 350 mijë euro me TVSH për kryerjen e detyrimeve pas prokurimit publik, pra 40 për qind të shumës totale të kontratës.

Prokurori publik kompetent i propozoi Gjykatës Themelore Penale Shkup që për personin e dyshuar fizik të caktojë masa të kujdesit, gjegjësisht ndalim të largimit nga vendbanimi, konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit dhe dokumenteve tjera për kalimin e kufirit shtetëror, ndalim për kryerjen e disa aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale, pra ndalim i disponimit të mjeteve nga llogaritë bankare të personit juridik, transmeton Zhurnal.mk.