Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut: Institucionet urgjentisht t’i ndihmojnë qytetarët të cilët pësuan dëme nga zjarret

Shkup, 7 gusht 2021 (MIA) – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në bashkëpunim me komunat, duhet t’iu ofrojë ndihmë të nevojshme financiare dhe psikosociale më të rrezikuarve. Shteti duhet t’i vendosë në dispozicion kapacitetet e tij të strehimit, që me kohë të strehohen personat vendbanimet e të cilëve janë djegur ose të cilat janë në afërsi të zjarreve. Gjithashtu, pagesa e kompensimit adekuat për sanimin e dëmeve për objektet dhe tokat duhet të jetë me kohë, theksuan nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, sa i përket zjarreve të cilat e kapluan shtetin.

Prej atje theksuan se ajo që për momentin është urgjente dhe nuk duhet të shtyhet është mbrojtja e njerëzve të cilët janë më të goditur nga stuhia e zjarrit.

Në drejtim të parandalimit të dëmit të ardhshëm edhe më të madh, nga Komiteti u bënë thirrje institucioneve kompetente që t’i përforcojnë kontrollet në pyje në territorin e gjithë shtetit, ndërsa personat, për të cilët do të dëshmohet se kanë shkaktuar zjarr, të përgjigjen për veprat e tyre penale.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut do t’i japë prioritet të veçantë ndihmës juridike falas për personat të cilët drejtpërdrejtë ose tërthorazi kanë pësuar dëme në pasuri ose dëme të tjera personale nga zjarret.

“Këshilltarët tanë juridikë janë në dispozicion për secilin qytetar i cili ka nevojë për ndihmë juridike dhe këshilla, në numrat e telefonit 02 3119 073, 072 278 436, 0800 44 222 dhe në helkom@mhc.org.mk”, informuan nga Komiteti.