Komiteti i Helsinkit flet për diskriminimin në shkollë dhe rastin “Ëmbla”
Shkup, 8 shkurt – Komiteti i Helsinkit reagoi ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, të dhënë dje pas takimit midis përfaqësuesve të Komunës së Gostivarit, Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi dhe prindërit që kanë shtruar peticion për largimin e Ëmbla Ademit nga klasat ku mësojnë fëmijët e tyre, me të cilën ajo paralajmëroi se “si institucion do të kërkojmë edhe njëherë të bëhet kategorizimi i Ëmblës, pas çka do të sillet konkluzion përfundimtar me rekomandim nëse ajo do ta ndjekë mësimin përmes inkluzionit ose në paralele me fëmijë me nevoja të veçanta”.
“Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut shpreh shqetësim serioz lidhur me këtë deklaratë nga kryetari i komunës me të cilën në vend se të largohen dhe korrigjohen mangësitë nga veprimi i drejtorit dhe kuadrit mësimor, gishti sërish i drejtohet nxënëses. Duke e pasur parasysh se çdo fëmijë me aftësi të kufizuara kalon përmes procesit të vlerësimit të funksionalitetit të tij në bazë të së cilit përcaktohet lloji i mbështetjes që i nevojitet për përfshirje në arsimin e rregullt fillor, nuk ekziston bazë për kërkesë për kategorizim të sërishëm të nxënëses, që do të çonte drejt stigmatizimit shtesë të fëmijëve me aftësi ndryshe. Shkolla ka obligim ligjor të sigurojë aftësim përkatës të procesit mësimor në bazë të vlerësimit të bërë dhe të sigurojë mbështetje përkatëse, si në rastin e sigurimit të asistentes mësimore, me çka do të mundësohet përfshirje përkatëse e nxënëses në mësim”, qëndron në reagimin e shoqatës për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Njëherësh, shtohet, në ndërkohë me raportin nga kontrolli i jashtëzakonshëm inspektues nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit në shkollë janë përcaktuar lëshime gjatë ndërmarrjes së masave përkatëse për përfshirjen e nxënësve me aftësi ndryshe në procesin edukativo-arsimor, me kërkesë për shkarkimin e drejtorit të shkollës, Ziadin Nuredini, si edhe dënim për mosveprim mbi autorizimin.
“Andaj, Komiteti i Helsinkit i bën apel kryetarit të komunës që të përmbahet nga dhënia e deklaratave joprofesionale dhe të pabaza që nuk janë në përputhje me Ligjin për arsim fillor dhe që shpie në diskriminim shtesë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, por përpjekjet t’i orientojë në ofrimin e arsimit adekuat për nxënësit. Komiteti i Helsinkit do të vazhdojë ta ndjekë rastin, e në veçanti veprimet e mëtutjeshme lidhur me lëshimet e konstatuara dhe përfshirjen e duhur të Ëmblës në procesin arsimor, konform ligjit”, qëndron në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

