Komisioni për Kategorizim do të vendosë nëse Ëmbla do të ndjekë mësimin e rregullt

Gostivar, 7 shkurt – Tridhjetë prindër, përfaqësues të pushtetit komunal dhe të Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi së bashku e shqyrtuan rastin me Ëmblën, vajzës me sindromin Daun  nga Gostivari. Pas mbledhjes e cila zgjati më shumë se dy orë  dhe nuk ishte e hapur për gazetarët është biseduar për situatën e ndodhur dhe u soll konkluzion që vajza të vazhdojë me ndjekjen e mësimit përmes gjithpërfshirjes, ndërsa në ndërkohë  një Komision i veçantë të bëjë kategorizim të ri.

Pas mbledhjes fjalim mbajti vetëm kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili nxori disa detaje, për të cilat, tha se japin dritë dhe drejtim të ri ndaj gjetjes së zgjidhjes.

“Nga mbledhjet të cilat i kam mbajtur me defektologët, psikologët, mësuesen dhe me prindërit doli se prindërit e vajzës kanë insistuar  ajo ta vizitojë mësimin me gjithpërfshirje dhe kjo është mundësuar. Këtë vit tek ajo është vërejtur sjellje agresive dhe këtë fakt e konfirmuan gati të gjithë. Edhe pse mes fëmijëve ka pasur mirëkuptim, megjithatë disa nga bashkënxënësit edhe janë lënduar. Përveç sindromit Daun Ëmbla ka edhe një formë të autizmit,  që është konfirmuar edhe në raportin  i cili kryen kategorizimin e fëmijëve të tillë. Për të janë siguruar edhe kushte të veçanta në shkollë. Megjithatë, disa nga prindërit kanë shprehur brengë për fëmijët e tyre. Si institucion do të kërkojmë edhe njëherë të bëhet kategorizimi për Ëmblën, pas së cilës do të merret konkluzion përfundimtar me rekomandim  nëse ajo do ta ndjekë mësimin përmes gjithpërfshirjes ose në paralele për fëmijët me nevoja të veçanta, dhe kjo do të kuptohet së shpejti”, tha kryetari i komunës Taravari.

Rasti me  vajzën 11 vjeçare shkaktoi vëmendje pasi ishte zbuluar se pridërit e nxënësve nga shkolla “Bashkimi” janë të pakënaqur nga sjellja e saj dhe kishin nënshkruar peticion që ajo të mos e ndjek mësimin së bashku me to. Gjysmëvjetorin e dytë Ëmbla e filloi me vonesë dhe ishte publikuar se ka  kundërshtim që ajo të ndjekë mësim të rregullt.

Në Gostivar sot erdhi edhe presidenti Stevo Pendarovski dhe e vizitoi familjen Ademi. Ai pas takimit rekomandoi se paragjykimet janë pengesë  në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.