Komisioni Europian përmes zëdhënëses Ana Pisonero e bën llom Qeverinë për ndryshimet në Kodin penal
Bruksel, 13 shtator – Bashkimi Europian vë në dukje me shqetësim se disa nga amendamentet e Ligjit për Kodin Penal të miratuar në mënyrë të përshpejtuar nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe kanë implikime në zbatimin e parashkrimit prekin një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë në vend, kështu kanë deklaruar nga Komisioni Europian përmes zëdhënëses Ana Pisonero Hernandez.
Na vjen keq për mungesën e konsultimeve gjithëpërfshirëse me palët e interesuara vendore dhe me Komisionin Europian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht përafrimin e Ligjit kombëtar me BE-në (Acquis).
Maqedonia e Veriut është zotuar të promovojë sundimin e ligjit dhe të luftojë pandëshkueshmërinë dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet e korrupsionit duhet të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse.
Në këtë kontekst, forcimi i besimit në sistemin e drejtësisë dhe trajtimi i pandërprerë i korrupsionit, duke përfshirë një histori të qëndrueshme në hetim, ndjekje penale dhe dënimin përfundimtar të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, është me rëndësi kyçe.
Komisioni Europian do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe kontekstin e negociatave të anëtarësimit, thuhet kështu të ketë deklaruar zëdhënësja Ana Pisonero.

