KOMENT: Po “vlon” pushteti, po “vlon” edhe opozita, kush do të digjet në fund ?

Shkup, 31 janar – Kalimi i Fatmir Limanit në Lëvizjen Besa, ishte një hap që u paralajmërua dhe që pritej të forcojë partinë e Bilall Kasamit. Me kalimin e tij Besa fitoi dy këshilltarë në komunën e Kërçovës, por edhe një strukturë opozitare e ndërtuar në zgjedhjet lokale edhe me ndihmën e ASH-së dhe Alternativës, gati tërësisht iu bashkangjit këtij subjekti.

Në këtë mënyrë, me një lëvizje, Kasami shkeli relativisht fort në një teren si Kërçova, deri tani gati i pashkelur nga opozita shqiptare.

E nga ana tjetër, kalimi i Fatmir Limanit kishte edhe anën simbolike për shkak të kaluarës së tij, apo siç u shpreh kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, “ardhja e Limanit paraqet nder dhe respekt sepse bëhet fjalë për person i cili e ka kushtuar gjithë jetën e tij në veprimtarinë kombëtare”, shkruan Zhurnal.

Nuk dihet nëse ishte diçka e ndërlidhur, apo e rastësishme, që nga momenti i kyçjes ë Limanit te Besa, filloi një seri dorëheqjesh nga ky subjekt, mes të cilëve edhe nga anëtari i kryesisë, Sedat Ramadani, i pasuar edhe nga njerëz tjerë të strukturës së kësaj parti në Shkup. Në këtë mënyrë, Lëvizja Besa e dobësuar më herët me largimin e deputetit Kastriot Rexhepi, gati se u fshi tërësisht nga harta politike e kryeqytetit, ku tani sfida i mbetet deputetit Basri Bajrami të ndërtojë një strukturë thuajse tërësisht të re.

Kutpohet se në këtë sfidë do i nevojitet përkrahja e plotë e sekretarit të përgjithshëm të partisë, Arjanit Hoxha, i cili duke komentuar aktualitetin brenda Lëvizjes Besa pas shpalljes së kongresit ka thënë se më 5 mars Besa do të mbajë kongresin dhe se ata po ndërtojnë strukturën politike të së ardhmes.

Ai ka komentuar edhe largimet nga partia duke thënë se “çdokush duhet të arsyetojë vetveten dhe rrjedhimisht duhet të arsyetojë pse tërhiqet nga proceset politike qofshin këto argumente të qëndrueshme apo për të përmbyllur misionin e dikujt”.

Kurse zhvillimet e fundit te Lëvizja Besa, janë të ndërlidhura edhe me “vlimet” që po ndodhin brenda BDI-së, sepse në vetë pres konferencën e Fatmir Limanit pas takimit me Bilall Kasamin, u tha se kalimi i tij është vetëm fillimi dhe se do të ketë edhe kalime tjera. Të gjitha supozimet janë se fatmir Limajt do t’i bashkangjiten edhe figura tjera të rëndësishme të BDI-së, të cilat janë të organizuara rreth të ashtuquajturit “Grup i Zjarrit”. Shqetësim në BDI shkakton fakti se nuk dihet kush nga Grupi i Zjarrit do të shkojë pas hapave të Fatmir Limanit. A do të jetë ndonjë figurë e fuqishme politike, apo vetëm “shokë të idealit” të Fatmir Limanit, këtë do ta tregojë koha. Apo ndoshta Albini i ka tregu Aliut në takimin e “dy qeverive”?!

“Vlimet” kanë përfshirë pak a shumë edhe Aleancën për Shqiptarët. Edhe këtë parti e pret Kongres partiak, ku duhet të zgjedhet lideri. Si zakonisht, edhe te ASH qarkullojnë shumë informata e spekulime para kongresit të ardhshëm. Disa thonë se Ziadin Sela dëshiron të tërhiqet, por Taravari nuk e lejon, disa thonë Sela nuk don të tërhiqet, por Taravari mundohet ta largojë. Muhabete të zakonshme kuloaresh në prag të zhvillimeve të rëndësishme politike. Askush nuk mund ta mohojë se Aleanca për Shqiptrët është ndërtuar mbi autoritetin dhe figurën e Ziadin Selës, siku që nuk mund të mohojë se gjatë këtyre viteve edhe Taravari ka arritur të ndërtohet në një ndër figurat më respektibile në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Mirëpo realiteti tregon se bashkëveprimi i tyre është shtylla kryesore që mban strukturën e ASH-së. Nëse ky bashkëveprim shkëputet, ose pëson një “gërvishtje” të vogël, atëherë edhe ardhmëria e ASH-së bëhet më e paparashikueshme.

Për momentin në situatë më të rehatshme gjendet kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Shpejtuan ata që dolën me konstatimet se “Alternativa është humbësi kryesor”, sepse “Plani B” i Gashit e solli këtë parti në pozitë të rëndësishme qeveritare, që nuk e ka pasur tani me vite asnjë parti tjetër përveç BDI-së. Sa do të zgjasë “rehatia” e Gashit dhe a do të prishet pas 100 ditëve të para të qeverisë “Kovaçevski” është një dilemë të cilës nuk mund t’i japim përgjigje prej tani. /Zhurnal.mk