Koment: Fëmijët me pengesa shumë mirë e dinë kush i do e kush jo, shoqëria të ngritë vetëdijen

Shkup, 3 shkurt – Rasti me 11 vjeçaren Ëmbla Ademi e cila nuk e përjetoi gëzimin e kthimit në shkollë për gjysmëvjetorin e dytë, nga shkaku se prindërit nuk lejuan fëmijët e tyre të mësojnë me të, e me peticion kishin kërkuar vajza me sindromën Down të mos mësojë në një klasë me të, është një fotografi e shoqërisë sonë ku çdokush çdokë etiketon dhe e dallon si të veçantë.

Në Maqedoni dhe më gjerë në rajon, prindërit duhet të ndikojnë tek nxënësit me qëllim që të zhvillojnë veçori pozitive, ndjesi për përkatësi të përbashkët dhe kontribut në shoqëri. Çdo nxënës dhe çdo prind mund të jep kontributin e vet, shkruan Zhurnal.

Nuk ekzistojnë fëmijë të mirë e të këqinj. Të gjithë janë të ndryshëm dhe para se gjithash të sinqertë. E papranueshme është të largohet një fëmijë me pengesa nga fëmijët e tjerë, sepse kur fëmijët janë të vegjël e kanë të vështirë të mësojnë diçka të re, diçka që është vështirë për ta kuptuar. U nevojitet kohë dhe mbështetje nga ana e më të moshuarve. Ajo që është më me rëndësi është se çfarë mbështetje do të marin nga prindërit e tyre për të pranuar një fëmijë me pengesa.

Edhe ligji për arsim fillor përmes nenit 5 ofron mbrojtje nga diskriminimi dhe promovon barazi. Fëmijët me pengesa e dinë shumë mirë se kush i do e kush jo, e ndjejnë kur nuk përfillen dhe në këto raste mund të jenë agresiv, sepse nuk mund të shprehen për ndjenjat e tyre të lënduara.

Sistemi duhet të bëjë mekanizma për mbrojtjen e fëmijëve. Para se të kyçen në shkollë fëmijët me pengesa, nevojitet të ekzistojë një periudhë përgatitore ku ato do të përgatiten për ndjekjen e mësimit nga ana e personave ekspertë, përgatitjen e fëmijëve tjerë dhe mësimdhënësit. Trajtimi i hershëm dhe zhvillimi i aftësive për punë në grupe nuk ekziston. Fëmijët me nevoja të veçanta mësimore më shpesh nga prindërit dërgohen në trajtime individuale ku punohet një në një dhe ato nuk janë të aftë për punë në grupe.

Falë angazhimit nga mediat dhe reagimit të opinionit gjatë ditës së djeshme, sot Ëmbla me shumë gëzim iu kthye procesit mësimor së bashku me shokët dhe shoqet e klasës ndërsa për këtë ka njoftuar dhe ministri i arsimit, Jeton Shaqiri. Si duket ministri vet është angazhuar për rastin në fjalë ndërsa si duket edhe prindërit e nxënësve të tjerë e kanë marë mësimin e duhur se nuk duhet diskriminuar një fëmijë me nevoja të posaçme.

Gëzimi i Ëmblës është gëzim i tërë shoqërisë. Fitore e shoqërisë dhe vlerave njerëzore. Shpresojmë situata të tilla të mos përsëriten. Për këtë duhet të vazhdojmë të kontribojmë drejt ngritjes së vetëdijes për fëmijët me pengesa. Ata nuk janë të ndryshëm prej neve dhe meritojnë qasje të barabartë deri në arsim kualitativ si të tjerët. Kjo është e drejtë themelore dhe të gjithë jemi të obliguar ta mundësojmë, të krijojmë kushte ku çdo fëmijë do të zhvillojë dhe realizojë potencialin e tij.//Zhurnal.mk