Kjo është kompania turke që prodhon pajisjet mbrojtëse për Volodymyr Zelenskyn dhe bashkëpunëtorët e tij

Kompania turke Garanti Kompozit, është ajo që merret me pajisjet mbrojtëse për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, e që po i përdorë vazhdimisht që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Kompania gjendet në qytetin turk Yozgat, e atë e ka vizituar së fundmi ministri i Mbrojtjes, Mustafa Varank, i cili tha se për Zelenskyn dhe bashkëpunëtorët e tij kanë prodhuar helmetat dhe jelekët anti-plumb.Kjo kompani qysh në ditën e parë të agresionit rus ka pranuar porosinë e parë për prodhimin e pajisjeve mbrojtëse.

“Kanë kërkuar 20 helmeta dhe jelekë anti-plumb. Jemi të lumtur kur i shohim në televizor”, tha Vedat Tuzer nga kompania Garanti Kompozit.

Është theksuar se për prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe civile përdorën materiale të avancuara. Sipas ministrit Varank, eksportimi i këtyre prodhimeve është i rëndësishëm për Turqinë për të treguar se çfarë është arritur në prodhim.

“Më vjen mirë ta shoh në këtë pikë sektorin privat ku ka arritur, në veçanti industria e mbrojtjes. Një pjesë e madhe e pajisjeve ushtarake prodhohen në Yozgat, ku në mbi 50 shtete dërgojnë produktet e tyre”, shtoi Varank.

Ndërkaq Tuzer ka bërë të ditur se kompania e tij mbulon 80 për qind të tregut në Turqi, kur bëhet fjalë për helmeta. Deri më 2013 janë eksportuar në Shtetet e Bashkuara dhe atë në partneritet me kompanitë nga Izraeli. Çmimi i një helmete të tillë kap vlerën e 1.900 dollarëve.