Kishida: Japonia ka përgatitur paketë të masave anti-krizë për shkak të shtrenjtimin e lëndëve të para
Japonia ka përgatitur paketë të masave anit-krizë në vlerë prej 13,2 trilion jen (103 miliardë dollarë) për të zbutur efektet e rritjes së kostove të lëndëve të para, si dhe po përgatit masa që synojnë rishpërndarjen e pasurisë, deklaroi sot kryeministri Fumio Kishida.
Masat do të financohen kryesisht nga rezervat buxhetore për vitin aktual fiskal dhe do të përfshijnë subvencione për tregtarët me shumicë të benzinës dhe ndihmë financiare për familjet me të ardhura të ulëta me fëmijë.
Shpenzimet e drejtpërdrejta të Qeverisë do të jenë 6,2 trilion jen dhe pjesa tjetër do të jenë masa për shpenzime indirekte, si kreditë për sektorin privat.
“Qeveria do të përgatisë buxhet shtesë dhe do ta “shtyjë” në Kuvend për të rimbushur rezervat dhe për të siguruar para për të luftuar valën e re të mundshme të Kovid-19 ose për një periudhë të gjatë rritjeje të kostove të karburantit. Ne duhet të sigurojmë që rritja e kostove të karburantit dhe lëndëve të para të mos pengojë rikuperimin e aktivitetit ekonomik dhe social nga pandemia”, tha Kishida.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Qeveria do të prezantojë një paketë “gjithëpërfshirëse” të reformave në shoqërinë japoneze pas zgjedhjeve për Dhomën e lartë të Kuvendit. Paketa do të përfshijë hapa për të ndihmuar Japoninë të arrijë neutralitetin e karbonit dhe të zbatojë masat e politikës ekonomike të përqendruara te pasuria.
“Ne duhet të veprojmë në mënyrë parandaluese, në afat të mesëm dhe afatgjatë”, tha Kishida.
Rritja e paralajmëruar e shpenzimeve buxhetore në Japoni është në kundërshtim me tendencën në vendet perëndimore, të cilat gradualisht po largojnë stimujt nga periudha e krizës pandemike.