Kina zbaton stërvitje ushtarake në afërsi të Tajvanit pas paralajmërimit për vizitën e Nensi Pellosit në ishull

Kina sot kumtoi se po zbaton stërvitje ushtarake në një pjesë të territorit të saj përballë Tajvanit, pasi e paralajmëroi kryetaren e Dhomës së përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nensi Pellosi, të heq dorë nga planet për ta vizituar ishullin.

Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të tij.

Agjencia e lajmeve Sinhua njofton se Ushtria popullore çlirimtare e Kinës zbaton “stërvitje për gjuajtje” në afërsi të ishullit Pingtan tek provinca Fuxhian nga ora 08:00 deri në orën 21:00 sipas orës lokale.

Drejtoria për siguri detare i paralajmëroi anijet që ta shmangin zonën.

Stërvitjet e tilla zakonisht përfshijnë artileri.

Nuk dihet nëse në stërvitje janë përfshirë raketa, avionë apo armë të tjera.

Pellosi, funksionarja më e lartë amerikane që e ka vizituar Tajvanin nga viti 1997, ende nuk ka konfirmuar nëse ajo do të vizitojë ishullin.

Presidenti kinez Si Xhinping në një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Xhozef Bajden këtë e karakterizoi si “ndërhyrje të jashtme” në punët e Pekinit me ishullin.

Kina konsideron se Tajvani nuk ka të drejtë të zhvillojë një politikë të jashtme të pavarur. Kina i sheh vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan si mbështetje për njohjen e njëanshme të pavarësisë së atij territori.