Kina shpreson që administrata e re e ShBA-së t’i trajtojë objektivisht marrëdhëniet dypalëshe

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian shprehu shpresën se qeveria e re amerikane do t’i trajtojë objektivisht marrëdhëniet kino-amerikane dhe do të veprojë me politika pozitive e konstruktive ndaj Kinës.

Mësohet se zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se ShBA-ja do të konkurrojë ashpër me Kinën dhe se Biden do të përdorë “durimin” për të trajtuar marrëdhëniet me Kinën.

Zhao i tha këto në përgjigje të pyetjeve përkatëse. Ai vuri në dukje se vitet e fundit, administrata Trump ka bërë disa shkelje gjatë drejtimit të saj. Ajo e konsideroi Kinën si një konkurrente strategjike, madje dhe si një kërcënim, dhe ndërmori një seri veprimesh të gabuara duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe dëmtoi interesat e Kinës duke shkaktuar një gjendje jashtëzakonisht serioze në marrëdhëniet kino-amerikane që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
Zhao shtoi se si dy vende të mëdha, Kina dhe ShBA-ja ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe kanë përgjegjësi të madhe në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të botës si dhe në nxitjen e lulëzimit të zhvillimit global. Bashkëpunimi është rruga e vetme e duhur për përfitimin e ndërsjellë midis Kinës dhe ShBA-së, ndërsa përballja mes tyre do t’i dëmtojë reciprokisht.

Zhao Lijian tha se Kina i kushton gjithmonë shumë rëndësi mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe përpjekjet e rezultatet janë të dukshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, Kina mendon se arritjet tekniko-shkencore janë në të mirë të të gjithë njerëzimit, prandaj ato nuk duhet të bëhen mjet për të kufizuar zhvillimin e vendeve të tjera.