Kina nxit Japoninë ta rishikojë vendimin për Fukushimën, paralajmëron veprime të mëtejshme

Kina e nxiti Japoninë ta rishikojë vendimin e saj të hedhjes në det të ujërave të ndotura nga centrali i dëmtuar i energjisë bërthamore “Daiichi” në Fukushimë dhe t’u përgjigjet shqetësimeve ndërkombëtare, duke thënë se rezervon të drejtën e ndërmarrjes së masave të mëtejshme.

Japonia po vijon planet për të hedhur tonelata ujërash të ndotura në oqean, pasi ministrat e kabinetit të këtij vendi miratuan lëvizjen të martën. Qeveria tha se heqja e ujërave nuk do të fillojë në dy vitet e ardhme.

Në përgjigje të vendimit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze Zhao Lijian tha në një konferencë shtypi të rregullt të mërkurën se Japonia duhet ta rishikojë këtë çështje, duke theksuar seriozitetin e saj, për shkak të vëllimit të madh të ujërave të ndotura radioaktive që do të lëshohen dhe zonave të gjera që do të preken.

Ai i bëri edhe tre pyetje qeverisë japoneze mbi këtë vendim: a i ka marrë parasysh shqetësimet e brendshme dhe ndërkombëtare; a përputhet vendimi i Japonisë me të drejtën ndërkombëtare dhe a i plotëson largimi i ujërave të ndotura të Fukushimës standardet ndërkombëtare.

“Oqeani nuk është kosh plehrash i Japonisë dhe Oqeani Paqësor nuk është kanal ujërash të zeza i Japonisë,” tha Zhao. Ai e nxiti Japoninë që të njohë përgjegjësitë e saj dhe të mos ndërmarrë veprime para se vendet e interesuara dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të arrijnë konsensus në këtë çështje.

Koreja e Jugut po shqyrton mundësinë e referimit të Japonisë në gjykatën ndërkombëtare për këtë vendim.

Në takimin e parë të dialogut dhe mekanizmit të bashkëpunimit mbi çështjet detare mes Kinës e Koresë së Jugut, të mbajtur nëpërmjet videos të mërkurën, këto dy vende i kërkuan Japonisë që të trajtojë me kujdes çështjen e ujërave të ndotura radioaktive të Fukushimës.

Trajtimi i ujërave të ndotura radioaktive nga Japonia duhet të zhvillohet në bazë të konsultimeve të plota me organizatat ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e vendeve përkatëse dhe të organizatave ndërkombëtare, thanë ata.