Kina ka ruajtur rritjen e qëndrueshme në katër muajt e parë të sivjetshëm
Pekin, 19 maj, medial.mk/ – Ekonomia kineze ruajti prirjen e qëndrueshme të rritjes dhe zhvillimi me cilësi të lartë përparoi në mënyrë të qëndrueshme në katër muajt e parë të vitit 2026, bëri të ditur të hënën zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave (NBS) Fu Linghui.
Sipas tij, prodhimi industrial me vlerë të shtuar u rrit 5.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Spikatën veçanërisht prodhimi i pajisjeve, që u shtua me 8.7 %, dhe prodhimi i teknologjisë së lartë me 12.6 %, duke e tejkaluar rritjen e përgjithshme industriale me përkatësisht 3.1 dhe 7 pikë përqindjeje.
Për sektorin e shërbimeve, treguesi i prodhimit të shërbimeve u ngrit 4.9 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke mbetur në përgjithësi i qëndrueshëm, tha NBS. Për sa u përket sektorëve, shërbimet në transmetimin e informacionit, softuerët dhe teknologjinë e informacionit u rritën me 10.9 %, shërbimet në marrjen me qira dhe në biznes me 9.3 %, ndërsa shërbimet financiare me 6.7 %.
Ndërkohë, shitjet me pakicë të mallrave të konsumit u shtuan 1.9 % në krahasim me katër muajt e parë të vitit 2025. Midis tyre, shitjet me pakicë të mallrave në internet u rritën me 5.7 %, duke përbërë 25 % të shitjeve totale me pakicë të mallrave të konsumit, kurse shitjet me pakicë të shërbimeve në internet u shtuan 8.3 %.
foto nga VCG
Novacioni, veçanërisht në digjitalizimin dhe transformimin e gjelbër, vazhdon të nxisë përparimin, duke krijuar një vrull të ri ekonomik, tha Fu. Vlera e shtuar në prodhimin e teknologjisë së lartë u rrit 12.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në veçanti, prodhimi i avionëve u ngrit 25.7 %, ndërsa prodhimi biofarmaceutik 12 %.
Fu vuri në dukje se kushtet ndërkombëtare mbeten të paqëndrueshme dhe zinxhirët globalë të furnizimit vazhdojnë të gjenden përpara presionit.
Megjithatë, eksportet vijuan paraqitjen e mirë. Vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të mallrave u rrit 14.9 % në krahasim me katër muajt e parë të vitit 2025, me tregtinë me partnerët kryesorë, si ASEAN-i, BE-ja dhe vendet e nismës “Një brez, një rrugë”, që ruajti një rritje dyshifrore.
foto nga VCG
Investimet në aktivet fikse ranë 1.6 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa investimet në projekte duke përjashtuar pasuritë e paluajtshme u rritën 1.3 %. Investimet në prodhimin e qarqeve të integruara patën një rritje prej 11.6 %, ndërsa shpenzimet në pajisjet për shërbimet e internetit dhe për shërbimet e telekomunikacionit, transmetimit dhe satelitëve u ngritën përkatësisht 81.8 % e 22.3 %, duke reflektuar vrull të fortë në sektorët e drejtuar nga teknologjia, bëri të ditur NBS-ja.
Në tregun e punës, në përgjithësi punësimi mbetet i qëndrueshëm. Në prill, shkalla e papunësisë urbane në mbarë vendin ishte 5.2 %, me një rënie prej 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me marsin. Në grupmoshën 30-59 vjeç, norma ishte 4.2 %, gjithashtu pak më e ulët se muaji i mëparshëm.
Duke shfrytëzuar vrullin e një kërkese të fortë të brendshme, markat luksoze globale vazhduan të tregojnë besim te tregu kinez. Sipas të dhënave të paraqitura, në vitin 2026 dega e “Burberry”-t në rajonin e Kinës së Madhe u rrit 4 % pavarësisht nga prirjet e kundërta globale, teksa kishte arritur një rritje dyshifrore në tremujorin e katërt. Ndërsa LVMH-ja stabilizoi paraqitjen e vet në Kinë dhe “Hermès”-i vazhdoi rritjen e qëndrueshme.

