Kina është e shqetësuar për konceptin e ri strategjik të NATO-s
Kina është shumë e shqetësuar për implikimet e konceptit të ri strategjik në NATO, deklaroi përfaqësuesi i vendit në Kombet e Bashkuara, Xhang Xhun.
“Kina i kushton vëmendje të madhe përshtatjes strategjike të NATO-së dhe është shumë e shqetësuar për implikimet politike te të ashtuquajturit koncept strategjik. Disa liderë të NATO-s në periudhën e kaluar kanë identifikuar vende tjera si kërcënim. Por, fakti është se vetë NATO ka bërë disa probleme me pjesë të ndryshme të botës”, deklaroi Xhang në fjalimin e tij në Samitin e sigurisë së Kombeve të Bashkuara, raportoi Tass.
Ai i bëri thirrje NATO-s që të “mësojë mësimet e veta” dhe “të mos përdor krizën e Ukrainës si një justifikim për të provokuar konfrontime mbarë botën ose një Luftë të re të Ftohtë”.
Sipas tij, kriza në Ukrainë po zhvillohet në një “mënyrë afatgjate dhe të paparashikueshme”, por se Pekini zyrtar beson se “negociatat mbeten e vetmja mënyrë për ta zgjidhur atë”.
Ai shtoi se Kina i mbështet bisedimet e drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa e përshëndet ndërmjetësimin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në eksportin e drithërave, mes përpjekjeve të tjera të OKB-së për t’i dhënë fund konfliktit, raporton Tass.

