Kina edhe sot paralajmëroi se ushtria e saj “nuk do të rrijë duarkryq”
Kina paralajmëroi edhe një herë sot se ushtria e saj “nuk do të rrijë duarkryq” nëse Kryetarja e Dhomës Përfaqësuese të SHBA-së, Nensi Pelosi, viziton Tajvanin, njoftuan mediat britanike pas një konferencë të rregullt nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Xhao Lixhiang.
Sot, Pelosi filloi turneun e saj aziatik nga Singapori, gjatë të cilit duhet të vizitojë edhe tre vende të tjera.
Tensionet janë shtuar ditët e fundit, pas njoftimeve se Pelosi mund të vizitojë Tajvanin, gjë që Kina e interpretoi si provokim ndaj saj dhe paralajmëroi menjëherë për pasoja të mundshme.
Dy ditë më parë, Kina zhvilloi stërvitje ushtarake në një pjesë të territorit të saj kundër Tajvanit.
Pekini ka deklaruar vazhdimisht se e konsideron Tajvanin si territorin e saj, i cili është shkëputur përkohësisht.