Kina e Nikaragua rivendosin marrëdhëniet diplomatike

Kina dhe Nikaragua nënshkruan të premten në Tianjin komunikatën e përbashkët për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Nikaraguas.

Sipas komunikatës, Republika Popullore e Kinës dhe Republika e Nikaraguas, në përputhje me interesat dhe dëshirat e dy popujve, kanë vendosur të njohin njëri-tjetrin dhe të rivendosin marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadori, duke filluar nga data e nënshkrimit të kësaj komunikate.

Dy qeveritë bien dakord të zhvillojnë marrëdhënie miqësore ndërmjet dy vendeve në bazë të parimeve të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial, mossulmimit të ndërsjellë, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit, barazisë, përfitimeve të ndërsjella dhe bashkëjetesës paqësore, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Republikës së Nikaraguas pranon se ka vetëm një Kinë në botë, qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën dhe Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme territoriale e Kinës, thekson komunikata.