Kina dhe RDK-ja i ngrenë marrëdhëniet në partneritet të bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të premten pasdite në Pekin me presidentin e Republikës Demokratike të Kongos (RDK) Felix-Antoine Tshisekedi Tshilombo, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë. Krerët e të dy vendeve deklaruan ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe nga partneriteti i bashkëpunimit strategjik për përfitime të përbashkta në partneritetin e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik.
Gjatë bisedimeve, Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe RDK-ja e krijuan miqësinë e thellë tradicionale në procesin historik të lëvizjeve të çlirimit kombëtar e kundër agresionit kolonial dhe janë partnerë strategjikë me një gjuhë të përbashkët dhe një rrugë të përbashkët. Vitet e fundit, bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme ka qenë shumë i frytshëm. Kina është partnerja tregtare dhe vendi më i madh i investimeve në RDK për shumë vjet me radhë. Të dy vendet janë bërë një komunitet me interesa të përbashkët dhe fat të përbashkët.

Xinhua
Xi theksoi se pala kineze është e gatshme si gjithmonë ta ndihmojë Republikën Demokratike të Kongos për zhvillimin ekonomiko-shoqëror, ta mbështetë në strategjinë e industrializimit të saj, të forcojë bashkëpunimin në sektorët e energjetikës, minierave, bujqësisë, infrastrukturës, prodhimit etj., dhe të eksplorojë potencialet e bashkëpunimit në ekonominë digjitale, arsim, shëndetësi etj. Kina po ashtu është e gatshme të dërgojë grupe specialistësh të teknologjisë bujqësore në Republikën Demokratike të Kongos.
Felix-Antoine Tshisekedi Tshilombo shprehu vlerësimin e vet të lartë për arritjet e mëdha të Kinës në 10 vjetët e fundit. Ai theksoi se në gjysmëshekullin e fundit, bashkëpunimi miqësor mes Republikës Demokratike të Kongos e Kinës është testuar nga koha dhe ka arritur rezultate të shumta. Ai falënderoi për ndihmën e rëndësishme dhe mbështetjen e çmuar të dhënë nga Kina për një kohë të gjatë.
Pas bisedimeve, të dy udhëheqësit dëshmuan së bashku nënshkrimin e shumë dokumenteve të bashkëpunimit dypalësh në fushën e investimeve, ekonomisë së gjelbër, ekonomisë digjitale etj.
