Kina dënon një kanadez me 11 vjet burgim për spiunim
Një gjykatë kineze ka dënuar biznesmenin kanadez, Michael Spavor me 11 vjet burgim për spiunim.
Ky rast është parë si pjesë e mosmarrëveshjeve më të zgjeruara të Kinës me Kanadanë, për shkak të fatit të Meng Wanzhou, shefes financiare të kompanisë kineze, Huawei, e cila aktualisht është duke luftuar ekstradimin nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara.
Spavor është arrestuar në dhjetor të vitit 2018, në periudhën e njëjtë kur kanadezi tjetër, Michael Kovrig, ka qenë në mbajtje për supozime të ngjashme për spiunim.
Kanadezët janë ndaluar disa ditë pasi Meng, vajza e themeluesit të Huaweit, Ren Zhengfei, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit për akuzat amerikane të lidhura me moszbatim të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Vendimi për ekstradimin e saj pritet të merret shpejt.
Në procesin kundër Spavor, gjykata kineze ka thënë se biznesmeni do të dëbohet.
Ambasada e Kanadasë në Kinë ka thënë se është kuptuar që dëbimi do të ndodhë pas kryerjes së dënimit me burg.
“Ne dënojmë këtë vendim”, ka thënë ambasadori i Kanadasë në Kinë, Dominic Barton, para gazetarëve jashtë gjykatës.
“Ekziston mundësia e apelit. Për këtë do të flasë Spavor me avokatët e tij”.
Ambasadori ka thënë se Spavor dhe Kovrig janë duke u mbajtur në mënyrë arbitrare.
Edhe Kovrig pritet të kuptojë shumë shpejt vendimin ndaj tij.
Ai është ish-diplomat kanadez, që në kohën e arrestimit ka qenë këshilltar i lartë për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë për parandalim të konflikteve.