Kievi synon të konsolidojë arritjet në Kharkiv

Ukraina ka rimarrë sërish disa territore në një kundërofensivë dhe ka ripërsëritur thirrjet se gjatë ditëve në vijim do të lëvizë për të zmbrapsur forcat ruse.

Në një fjalim presidenti Volodymyr Zelensky tha se rreth 8,000 km katrorë janë çliruar nga forcat ukrainase deri më tani këtë muaj, të gjitha në rajonin verilindor të Kharkiv. Sipërfaqja totale e cituar nga Zelensky është afërsisht sa madhësia e ishullit grek të Kretës.

Ukraina ka bërë përparim të rëndësishëm teksa i shtyn forcat ruse, por nuk është e mundur të thuhet nëse lufta është në një pikë kthese, tha Presidenti i SHBA Joe Biden.

I pyetur nëse Ukraina ka arritur një pikë kthese në luftë, ai tha se kjo është një pyetje është pa përgjigje. “Është e vështirë të thuhet. Është e qartë se ukrainasit kanë bërë përparim të rëndësishëm. Por unë mendoj se do të jetë një kohë e gjatë”, u shpreh Biden. Shtëpia e Bardhë, e cila ka ofruar miliarda dollarë armë dhe mbështetje për Ukrainën, bëri sërisht të ditur se do të shpallin një paketë të re ndihme ushtarake në ditët e ardhshme.

Guvernatori rajonal i Kharkiv, ka deklaruar se autoritetet po regjistrojnë krimet e kryera nga rusët gjatë pushtimit të zonës nga ana e tyre. Moska mohon që forcat e saj të kenë kryer mizori në zonat që ata kanë kontrolluar që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi agresionin.

Ndërkohë, ekipet e riparimit kanë restauruar dy linjat kryesore të energjisë që furnizojnë qytetin Kharkiv dhe rrethinat e tij. Kievi ka frikë se Moska do të shtojë sulmet ndaj rrjeteve të saj energjetike me afrimin e dimrit dhe po kërkon teknologji kundërajrore nga Perëndimi për të mbrojtur infrastrukturën.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës bëri të ditur se forcat ruse kishin kryer tre sulme me raketa, 33 sulme ajrore dhe kishin gjuajtur me raketa artilerie në objektiva ushtarakë dhe civilë gjatë 24 orëve të fundit. Forcat ruse ende kontrollojnë rreth një të pestën e Ukrainës në jug dhe në lindje, por Kievi tani është në ofensivë në të dyja zonat.