Këshilli i Bankës Popullore ka miratuar vendim për vendosjen e dinarit serb në listën e këmbimit

Këshilli i Bankës Popullore, në seancën e mbajtur më 13 tetor të vitit 2022, miratoi Vendim për mënyrën e përcaktimit dhe publikimit të kurseve të ndërmjetme të Bankës Popullore, në të cilën më e rëndësishme është përfshirja e dinarit serb në listën e këmbimit të Bankës Popullore.

Vendimi, siç informoi sot Banka Popullore, do të fillojë të zbatohet nga lista e këmbimit e përcaktuar më 1 nëntor të vitit 2022.

Me përfshirjen e dinarit serb në listën e valutave që mund të blihen dhe shiten në tregun valutor, hapen mundësitë për të thjeshtuar bashkëpunimin ekonomik dhe subjekteve ekonomike u jepet nxitje për intensifikimin e flukseve tregtare dhe financiare ndërmjet dy vendeve, duke pasur parasysh se Serbia është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit tonë. Njëkohësisht, mund të priten efekte të favorshme edhe në mbështetje të aktiviteteve shërbyese, duke qenë se numri i turistëve nga ky shtet fqinj është i konsiderueshëm.

Vendimi për përfshirjen e monedhës serbe në listën e kursit të këmbimit vjen në një periudhë të thellimit të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet bankave qendrore të dy vendeve dhe paraqet reagim të koordinuar ndaj vendimit të Bankës Popullore të Serbisë për përfshirjen e denarit maqedonas në listën e saj të këmbimit.