Kërkohet zgjidhje për shportën konsumatore të vjeshtës

Shkup, 17 shtator – Kërkohet zgjidhje për shportën konsumatore të vjeshtës, me të cilën do t’u ndihmohet qytetarëve, por nuk do të dëmtohen as prodhuesit, as tregtarët. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se ministri tashmë ka realizuar takime dhe se do të dëgjohen propozimet nga të gjitha palët.

Propozimet nga Ministria e Ekonomisë do të dorëzohen deri te Qeveria dhe shqyrtohen në ndonjë nga seancat e ardhshme.

Dje edhe kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk dëshirojnë të miratojnë asgjë dhe nëse nevojitet të harmonizohen qëndrimet, ndosta do të pritet edhe një javë.

“Nuk dëshirojmë asgjë me forcë të bëjmë, qëndroj pas asaj që kam thënë, por ndonjëherë keni momente kur shikon se si individët reagojnë si monopol, duopol dhe atëherë do të duhet të ndërhysh në mënyrë ofensive, ashtu siç bëjmë ne. Aty ku me të vërtetë ekonomia e tregut dhe praktikat e tregut diktojnë çmimet, ne aty nuk ndërhyjmë, por ka kushte kur sheh çmimet importuese dhe kur sheh se si tregu është i ndarë kirurgjikisht, nuk të mbetet gjë tjetër përveç se të ndihmosh qytetarët, pasi askush nuk mund të pasurohet në mënyrë jo të hijshme në kurrizin e qytetarëve. Për çdo rast, unë jam për atë që ekonomia e tregut të diktojë çmimet dhe këtë e përkrah dhe nuk kam asnjë dyshim, por fatkeqësisht ka individë që e keqpërdorin këtë pozitë dhe këtu duhet të intervenojmë ne si qeveri”, tha Mickoski.

Në shportën konsumatore të vjeshtës duhet të përfshihen rreth 100 produkte ushqimore, ndërsa në Ministrinë e Ekonomisë po bëhen analiza nëse do të ngrihen çmimet apo do të kufizohen marzhet. Nga data 28 e këtij muaji duhet të hyjë në fuqi Ligji për praktikat jokorrekte tregtare, me të cilin pritet të ketë ulje të caktuar të çmimeve.