Kërkesa e VMRO për BDI/ Osmani: Të votojmë ndryshimet kushtetuese, pastaj jemi të gatshëm të shkojmë në opozitë
Shkup, 10 qershor – Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se nëse opozita maqedonase kërkon me çdo kusht që BDI-ja të mos jetë pjesë e qeverisë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese, ai tha se ata janë të gatshëm të bëjnë një hap mbrapa duke kaluar në opozitë, por me kusht që si fillim të votohen ndryshimet kushtetuese.
Duke iu referuar nevojës për të siguruar një të ardhme të sigurt evropiane për qytetarët, për një standard më të mirë jetese, për mbajtjen e njerëzve në këtë vend, për krijimin e një shoqërie funksionale evropiane; të vetëdijshëm për shansin e madh për anëtarësim të përshpejtuar të vendit në Bashkimin Evropian të krijuar për shkak të zhvillimeve aktuale gjeopolitike, në mbledhjen qendrore të Kryesisë së Partisë, Bashkimi Demokratik për Integrim rikonfirmoi qëndrimin se për momentin nuk ka prioritet më të lartë dhe çështje më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët se sa përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, dhe BDI e vë këtë prioritet para çdo interesi politiko-partiak.
Në këtë drejtim, sot BDI, përmes një vendimi unanim të Kryesisë, rikonfirmoi qëndrimin për gatishmëri të partisë që menjëherë të arrihet një marrëveshje me të cilën opozita do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që do të hynin në fuqi para mbajtjes së Seancës së dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ndërkaq BDI do të mbështesë një qeveri tranzitore pa pjesëmarrjen e saj deri në zgjedhjet e ardhshme.
Njëkohësisht, BDI insiston që menjëherë të fillojë procesi i vetingut për të gjitha partitë politike dhe bartësit e funksioneve publike partiake, me qëllim që tema e politikës kundër korrupsionit të mos keqpërdoret në politikën ditore; përkundrazi, nëpërmjet këtij procesi e njëjta të institucionalizohet, me çka do të krijohej besim minimal për proceset e rëndësishme që qëndrojnë para nesh, tha Osmani.

