Kërçovë / Kallëzimi penal ndaj Fatmir Deharit, “loj” për eliminim politikë !

Shkruan, Bexhet Musliju, themelues i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 30 korrik – Kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, po përballet me akuza të rënda pasi ndaj tij është ngritur një kallëzim penal për “kryerje të pakujdesshme të detyrave” dhe “rrezikim të mjedisit dhe natyrës me mbeturina”. Por, kjo padi penale në prag të zgjedhjeve ka krijuar shumë dilema se çfarë në të vërtetë po ndodh! Lojërat për eliminime politike dhe gara e zgjedhjeve lokale duket se do të nxjerr shumë të palara.

Padi penale ndaj Fatmir Deharit

Sipas informacioneve nga Sektori i Punëve të Brendshme i Kërçovës, Fatmir Dehari ka lejuar që të krijohet një deponi e paligjshme në një zonë të populluar të qytetit në vitet e fundit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Që nga viti 2020, sipas policisë, kryetari i bashkisë ka dhënë urdhra me gojë dhe me shkrim për të zvarritur asgjësimin e mbeturinave në vendin e kontestuar – një sipërfaqe prej disa mijëra metrash katrorë, pranë ndërtesave të banimit. Asnjë nga standardet mjedisore të përcaktuara nga Ligji për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit nuk është respektuar.

“Këto veprime çuan në ndotjen serioze të cilësisë së ajrit, ndotje të tokës dhe rrjedhave të ujit, si dhe shkatërrim të biodiversitetit të zonës”, njoftoi policia e Kërçovës.

Policia thekson se rasti është dokumentuar plotësisht pas vitesh hetimesh dhe monitorimi në terren. Sipas tyre, Dehari nuk ka kryer asnjë mbikëqyrje mbi situatën, duke mundësuar kështu ndotjen e përhershme të mjedisit, me pasoja potencialisht të rrezikshme për shëndetin e banorëve. Çështja po trajtohet nga prokuroria kompetente dhe publiku pret informacione të mëtejshme dhe zhvillimin e procedurës.

Çfarë thotë ligji për pushtet lokal!

Sipas ligjit për pushtetin lokal, kandidat për kryetar komune ose anëtar i Këshillit të Bashkisë duhet të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili ka mbushur 18 vjeç, ka aftësi juridike dhe ka vendbanim të përhershëm në komunën për të cilën kandidon.

Personi i cili është dënuar me vendim të formës së prerë gjyqësore me dënim me burgim pa kushte mbi 6 muaj, vuajtja e të cilit nuk ka filluar, ose është duke vuajtur dënimin për vepër penale të kryer, nuk mund të jetë kandidat për këto funksione.

Lojërat për eliminime politike!

Në garën për qytetin e Kërçovës duket se ka interesa të shumta dhe sa vjen e afrohen zgjedhjet, ashpërsimi bëhet edhe më i madh. BDI për tre mandate e ka mbajtur si kandidat Fatmir Deharin, por duket se kësaj radhe interesimi është që Dehari të lejojë hapësirë për gjeneratat e reja. Më parë për kryetar të Kërçovës përflitej edhe ish-ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, por duket se Dehari ka insistuar në vazhdimin e mandatit. Ai njihet si personi i cili jo çdoherë është nën urdhërat e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke u parë herë pas herë në takime edhe me anëtarë të “grupit të zjarrit”. Megjithatë në fund, sërish vendosi të mbetet në BDI, por duket se kushti kryesor është të fitojë edhe një mandat të ri.

Edhe Shkodran Alili, i cili ka shpallur kandidaturën si i pavarur, njihet si kuadër i BDI-së, ndërsa nga ana e VLEN-it si kandidat mund të dalë Fatmir Limani. Duket se krejt në këtë “gjellë” interesimi është që Dehari të eliminohet ose t’i bëhet presion, sepse Ahmeti thuajse i largoi të gjithë strukturat e vjetra. Në Saraj e largoi Blerim Bexhetin dhe kandidaturën ia dha Taravarit, ngjashëm siç veproi edhe me Strugën që ia dha Selës. Loja politike që t’i eleminojë gjeneratat e vjetra, duket se nuk po i “dhez” në Kërçovë, prandaj presioni në të ardhmen vazhdon të rritet.

Pyetjet që shtrohen janë se a mund të jetë kjo padi penale e inicuar nga vet BDI-ja, kur dihet se krye prokurori është nga Kërçova, ndërsa ende gjysma e gjyqësorit kontrollohet nga BDI-ja, a po luhet loja nga BDI se “ne deshëm Deharin, por ai ka padi penale”, dhe si mund kandidati që ishte i afërt me BDI-në të shpallet i pavarur, ndërsa në listë të manipulohet me Fatmir Deharin…

Nga ajo që dihet është se tre kandidatë shqiptarë do të garojnë për Kërçovën, ndërsa gjasat janë që të ketë edhe një kandidat maqedonas. A po rrezikohet Kërçova me këto lojëra të “pista” politike!!!.