Këngë e valle për alfabetin, derisa Inspektorati për përdorimin e gjuhëve “ka dalë” jashtë përdorimit!
Shkup, 24 nëntor – Të shtunën, në Manastir në qytetin ku para 116 vitesh u vendos një nga gurët themeltarë të identitetit shqiptar, Alfabeti pati sërish këngë, valle, flamuj, duartrokitje. Përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri festuan me zell pranë tyre ishte edhe kryeministri i Kosovës, një atmosferë simbolike që synonte të tregonte unitet kombëtar dhe respekt ndaj një ngjarjeje historike. Edhe pse mungonin përfaqësues nga Shqipëria dhe opozita nuk mund të ishte uniteti i plotë. Por, sërish këto valle nuk mjaftojnë që gjuha shqipe të shkilet e askush mos të gjobitet, shkruan Zhurnal.
Politika nuk matet me valle –
Përtej festimeve realiteti i funksionimit të shtetit mbetet i ashpër përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdon të shkelet hapur dhe pandëshkueshëm. Në letër ekziston një Inspektorat për Përdorimin e Gjuhëve, por në praktikë ky institucion është shndërruar në një organ të heshtur, pa dhëmbë, pa autoritet një “zorrë qore” brenda aparatit shtetëror.
Ligji për përdorimin e gjuhëve është një prej arritjeve formale të shqiptarëve, por mbetet i zbrazët pa zbatim. Institucionet shtetërore, komunat, kompanitë publike, madje edhe vetë qeveria shpesh e shpërfillin zyrtarisht shqipen, qoftë në njoftime, tabela, dokumente apo komunikime të brendshme.
Inspektorati i themeluar pikërisht për të siguruar respektimin e ligjit nuk ka dhënë asnjë shembull të vetëm serioz të penalizimit të shkelësve. Nëse një organ shtetëror nuk ushtron kompetencat e veta, fajin nuk e ka ligji. Fajin e ka udhëheqja dhe përgjegjësi politike e atyre që e kontrollojnë ose duhej ta kontrollonin.
VLEN-i në qeveri për ceremoni apo për reformë?
VLEN-i erdhi në qeveri me premtimin për qeverisje ndryshe nga ajo e BDI-së më efikase, më transparente, më llogaridhënëse, më afër nevojave të qytetarëve shqiptarë. Nëse një organ si Inspektorati i gjuhëve vazhdon të jetë i paralizuar, atëherë pyetja është e drejtë dhe e pashmangshme se çfarë po bën VLEN-i për të ndryshuar këtë realitet?
Derisa udhëheqësit festojnë, realiteti në administratë mbetet ai i vjetër gjuha shqipe trajtohet si opsionale apo sipas vullnetit të lirë, jo si e drejtë kushtetuese. A është ky ndryshimi i premtuar? A është ky model i ri i qeverisjes? Apo VLEN-i po e përsërit të njëjtën formulë të vjetër shumë ceremoni, pak punë?
Këtu nuk mjafton prezenca në manifestime, as vallet dhe fotot. Duhet punë sistematike aktivizim i inspektoratit, vendosje e targeteve konkrete për gjoba, raporte publike mujore, presion ndaj institucioneve që e shkelin ligjin. Këto janë masa që tregojnë seriozitet jo dukja në evenimente kulturore.
Kongresi i Manastirit është një ditë e historisë. Por historia nuk nderohet vetëm me valle folklorike. Ajo nderohet me punë të përditshme që mbron gjuhën, që forcon institucionet, që siguron barazi. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë nevojë vetëm për festa, që në fakt mirë që ndodhin, por këto festime kurrsesi nuk mbulojnë dhe plotësojnë punët dhe veprimet që nuk bëhen e që duhet të bëhen. medial.mk/

