KB: Thuajse njëmijë gazetarë janë vrarë në 10 vitet e fundit

Në 10 vitet e fundit në botë janë vrarë 958 gazetarë, kumtoi sot komisari i lartë i KB-së për të drejta të njeriut, Uollker Turk, i cituar nga DPA-ja.

Në periudhën e njëjtë, mbi njëmijë gazetarë kanë qenë të mbyllur, tha ai në fillim të konferencës në Vjenë kushtuar mbrojtjes së punonjësve mediatikë. “Ky numër është i papranueshëm”, tha Turk në video-fjalimin në Gjenevë.

Konferenca është në organizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë së bashku me Kombet e Bashkuara me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së Planit aksional të KB-së për sigurinë e gazetarëve.

Sipas Turkut, plani ka pasur sukses, pasi masat për mbrojtjen e profesionistëve mediatikë janë vendosur ose përforcuar në rreth 50 vende. Viteve të fundit numri mesatar i njerëzve të vrarë është zvogëluar, por janë të nevojshëm më shumë përpjekje për mbrojtjen e gazetarëve, potencoi ai.

“Çdo kanosje ndaj një gazetari është edhe kanosje e të drejtave të juaja, të drejtave të mia dhe të drejtave të të gjithëve për liri të informimit, mendimit dhe të shprehurit”, potencoi shefi i Agjencisë për të drejta të njeriut të KB-së. Ai, gjithashtu, publikoi se nga viti 2006, vetëm 13 për qind e vrasjeve lidhur me mediat janë hetuar me sukses.