Katër fakultete në “USHCM” kanë nga 1000 vende të lira për regjistrimin e studentëve
Shkup, 23 gusht – Nga 23 fakultetet që janë në përbërje të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” – Shkup, katër ofrojnë nga një mijë vende të lira për studentët të cilët do të regjistrohen në vitin e parë në vitin akademik 2022/2023 në regjistrimet në vijim. Fakulteti Matematiko-natyror (FMN), Filologjik, Fakulteti juridik dhe FSHIIK së bashku disponojnë me 4.535 vende për studentët fillestarë, ose 41.53 për qind nga gjithsej 10.918 të parapara në Konkursin e USHCM-së për vitin e ri akademik.
FMN-ja ka më shumë vende të lira (1.275), ofron 28 programe studimore në të cilat mund të regjistrohen studentët fillestarë – 655 vende janë për studentë me kohë të plotë të financuara nga buxheti i shtetit, 445 për studentë me kohë të plotë që paguajnë shkollimin dhe 175 vende të lira për studentët e çrregullt.
“Interesim më të madh në vitet e fundit ka për studimet e biologjisë, veçanërisht për programet studimore Biokimi dhe fiziologji dhe Biologji molekulare me gjenetikë. Ekziston trend edhe tek numri i studentëve të cilët vendosin të studiojnë për kimi në programin studimor Kimi e aplikuar – biokimi analitike”, deklaroi për MIA-n, prof.dr. Aleksandar Skeparovski, dekan i FMN-së.
Nga ky vit akademik në studimet për biologji ofrohet program i ri studimor për Ekologji dhe mjedis jetësor (studime trevjeçare). Vitin e kaluar akademik (2021/2022) filloi me realizim programi studimor Menaxhment dhe mbrojtje e trashëgimisë kulturore në Institutin për etnologji dhe antropologji.
“Pjesa e madhe e programeve studimore të cilat janë akredituan në vitin 2016 dhe 2017 kaluan përmes procesit të riakreditimit, kështu që pavarësisht se ata i mbajtën emrat e tyre, programet dhe planet e tyre mësimore janë rifreskuar dhe modernizuar”, shton dekani i Fakultetit matematiko-natyror.
Fakulteti filologjik “Blazhe Koneski” mund të pranojë 1.125 studentë në vitin e parë në 22 programe studimore – 555 studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 430 studentë të rregullt me pagesë dhe 140 studentë të çrregullt.
Programet studimore në Fakultetin Filologjik përfshijnë fusha nga gjuha maqedonase, letërsisë dhe kulturës maqedonase, letërsisë së përgjithshme dhe komparative, përkthimit dhe interpretimit, gjuhë të tjera kombëtare, si dhe pesëmbëdhjetë gjuhë të huaja.
“Programet e reja, si dhe ato ekzistueset, por të ridizajnuara, do të ofrojmë vitin e ardhshëm me akreditim të ri”, thotë dekanja e Fakultetit Filologjik, prof. dr Aneta Duçevska. Për MIA-n deklaroi se vazhdimisht interesim më të madh ka për programin Gjuhë dhe letërsi angleze, më pas Përkthim dhe interpretimi dhe gjuhë dhe letërsi gjermane.
Fakulteti për shkenca informatike dhe inxhinieri kompjuterike (FSHIIK), i cili nga formimi para 11 viteve çdo vit është gjithnjë e më tërheqës për të rinjtë, disponon me 1.080 vende (550 për studentë të rregullt në kuotën shtetërore dhe 530 studentë me kohë të plotë) në shtatë programe studimore.
Dekani, prof. dr. Ivan Çorbev për MIA-n thotë se për shkak të interesimit të madh për regjistrim në FSHIIK, pothuajse të gjitha vendet të cikat janë siguruar për kuotë, plotësohen gjatë regjistrimit, në të gjitha drejtimet e ofruara.
Sipas Konkursit të USHCM-së, Fakulteti juridik “Justiniani i Parë” ofron 1.055 vende në pesë programe studimore – 440 vende për studentë të rregullt në kuotë shtetërore, 560 për studentë të rregullt me pagesë dhe 25 vende për studentë të çrregullt. Nga numri i përgjithshëm i vendeve të lira në këtë fakultet, 725 janë për programin Studime juridike.
Dekani i Fakultetit juridik, prof. dr. Sasho Georgievski për MIA-n deklaroi se në vijim është riformimi i shumë programeve studimore të studimeve në prag të riakreditimit të tyre vitin e ardhshëm.
Për programin studimor Studime juridike, për të cilin ka më shumë vende të lira, vitin e kaluar ka pasur interes të madh në krahasim me vitin paraprak. Për studimet për Gazetari, megjithatë, për të cilat sipas Konkursit janë paraparë 70 vende të lira, Georgievski thotë se në vitet e fundit, si dhe në studimet tjera, kuota nuk është plotësuar.
Sipas Konkursit për regjistrim në studime universitare në vitin akademik 2022/2023, në Universitetin e Shkupit janë të lira 10.918 vende: 5.306 për studentë të rregullt të financuar nga buxheti të cilët paguajnë pjesëmarrje vjetore prej 200 eurove. Për studentët e rregullt të cilët do të paguajnë tarifën e shkollimit prej 400 euro janë parashikuar 4.522 vende dhe 1.090 vende për studentë e çrregullt.
Regjistrimi i kandidatëve të cilët renditen vetëm sipas suksesit nga arsimi i mesëm do të jetë më 30 dhe 31 gusht në afatin e parë, edhe pse në fakultetet tani më është i hapur sistemi për aplikim elektronik para datave zyrtare. Më 15 dhe 16 shtator është afati i dytë dhe më 28 shtator – afati i tretë.
Këta kandidatë të cilët përveç suksesit nga arsimi i mesëm, renditen edhe sipas kontrollit të diturisë dhe aftësive, afati i parë për aplikim është më 25 dhe 26 gusht në afatin e parë, i dyti është më 14 dhe 15 shtator dhe afati i tretë më 28 shtator.