Kasami: Shkollat kanë nevojë për më shumë komunikim dhe më pak telefona

Tetovë, 19 Maj, medial.mk/ – Kreu i Tetova, Bilall Kasami, ka marrë pjesë në debatin e organizuar në “Qendrën Rinore” së bashku me nxënës të shkollave të mesme, të rinj dhe arsimdashës, ku është diskutuar për sfidat e komunikimit dhe bullizimit në shkolla në kohën e digjitalizimit.

Kasami theksoi nevojën për krijimin e një sistemi më të mirë komunikimi ndërmjet nxënësve, përforcimin e raporteve mes nxënësve dhe arsimtarëve, si dhe intensifikimin e luftës kundër bullizimit, fenomen që sipas tij po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në shoqëri.

Ai vlerësoi se simbolika e aktiviteteve pa telefona, me pjesëmarrje aktive në debate dhe në procesin arsimor, ndihmon në krijimin e një ambienti më të barabartë për të gjithë nxënësit.

Sipas Kasamit, të rinjtë sot kanë më shumë nevojë për komunikim të drejtpërdrejtë, motivim dhe qasje më të lehtë në aktivitetet edukative dhe sociale.

“Komuna e Tetovës, së bashku me ‘Qendrën Rinore’, po punon me përkushtim për të krijuar shkolla me më shumë mësim, më pak telefona, më tepër cilësi dhe më pak bullizëm, si dhe më shumë socializim sesa përjashtim”, theksoi Kasami.

Leave a Reply